E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët letër Scheffer për diskriminimin që u bën qeveria Berisha

Ndërkombëtarizohet çështja e trajtimit ushtarako-financiar
Ushtarakët shqiptarë vendosin ta ndërkombëtarizojnë çështjen e trajtimit të tyre ushtarako-financiar, pasi mjetet ligjore dhe demokratike të përpjekjeve i konsiderojnë të konsumuara. Pas një maratone të gjatë kërkesash, takimesh por edhe protestash për statusin e tyre, ish- ushtarakët shqiptarë vendosin të ankohen pranë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO- s, z. Jaap De Hoop Scheffer, për indiferencën që shteti shqiptar ka treguar nga ndaj tyre. Ish- ushtarakët, pjesa më e madhe tyre e reformuar prej 19 vitesh, i shprehin shqetësimin z. Scheffer se kanë po aq vite që nuk kanë ende një ligj që të shprehë interesat, dinjitetin, sakrificat dhe natyrën specifike të profesionit ushtarak. Ndërsa projektligji i fundit i Qeverisë Shqiptare për këtë shtresë sociale, sipas ushtarakëve është në kundërshtim të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendim që u dha të drejtë ushtarakëve shqiptarë. Duke pasur parasysh se mendimi i tyre nuk është përfillur në asnjë hartim në fushën e tyre, ushtarakët kanë sugjeruar përdorimin e influencës së këtij autoriteti për detyrimin e qeverisë shqiptare që t'u përmbahet standardeve ligjore, ekonomike e sociale të denja për ushtarakët, për statusin e tyre si shërbëtorë e monopol i shtetit dhe të përqasura me ato të kolegëve të ushtrive europiane.
Sekretarit të Përgjithshëm të NATO- s
Zotit Jaap De Hoop Scheffer
Kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO- s
Admiral Gianpaolo di Paola
Për dijeni: Presidencës së CIOR, Hage, Holandë
Zoti Sekretar i Përgjithshëm
Zoti Admiral
Përveç kënaqësisë së komunikimit me Ju dhe vlerësimit të lartë që kanë ish- ushtarakët shqiptarë për NATO- n, na lejoni tju transmetojmë hidhërimin tonë për një projektligj të shpërndarë ilegalisht nga Qeveria shqiptare. Ky projektligj jo vetëm që nuk shënon asnjë përparim në të drejtat tona juridike, ekonomike dhe ushtarake por eksplodon edhe ato pak të drejta të fituara deri tani. Projektligjet e kësaj natyre përbëjnë një konstante të përhershme të qëndrimeve antiushtarake që reflektojnë politikat ligjore të Qeverisë së Kryeministrit Berisha. Mbi 3 mijë ish- ushtarakë u janë drejtuar gjykatave për të fituar të drejtat e dhëna nga një ligj i kësaj qeverie në vitin 1996 por çuditërisht në vitin 2009, kjo qeveri e shkatërron atë arritje të vogël ligjore me përparimin e tanishëm ligjor dyfish më të vogël. Ky është vetëm një rast, por në tërësi e gjithë praktika ligjore qeveritare udhëhiqet nga motivi që ligji dhe kundërligji të bashkëjetojnë në pajtim me interesat politike.
- Projektligji në fjalë ka shkaktuar zemërim të madh në radhët e komunitetit dhe të shoqatave të ushtarakëve shqiptarë. Ne mund të dëshmojmë se zemërimi ka arritur kulmin sepse për gati 19 vjet demokraci nuk kemi ende një ligj që të shprehë interesat, dinjitetin, sakrificat dhe natyrën specifike të profesionit ushtarak. Kaosi ligjor ushtarak është karakterizimi më i mirë i situatës juridike në të cilën ndodhemi. Përveçse i shpërndarë ilegalisht, projektligji i fundit i Qeverisë Shqiptare është në kundërshtim të plotë:
Me vendimin numër 9, datë 26 shkurt 2007 të Gjykatës Kushtetuese, vendim që u dha të drejtë ushtarakëve shqiptarë. Pa bërë asnjë përpjekje për ta zbatuar u bënë dy vjet përpjekje qeveritare për të mos e zbatuar këtë vendim. Me ligjin numër 9210 datë 23 mars 2004 Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe me ligjin numër 9481 datë 16 shkurt 2006 të Kuvendit të Shqipërisë që bëjnë fjalë për sigurimin shoqëror të ushtarakëve. Në qoftë se do të ndiqni linjën e hartimit të ligjeve për Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të vini re se ata nuk janë në asnjë rast produkt i pushtetit të ekspertëve. Vetëm njerëzit politikë merren me hartimin e tyre. Shoqatat e ushtarakëve nuk thirren si grupe interesi në asnjë fazë të përpunimit dhe të diskutimit ligjor. Hierarkia e lartë ushtarake mënjanohet nga ekspozimi publik i pikëpamjes së vet dhe nga ballafaqimi me ne. Media qeveritare dhe ushtarake e të gjitha llojeve nuk pasqyron pikëpamjet, protestat dhe reagimet tona kundërshtuese. Kërkesave tona për takime nuk iu është përgjigjur në asnjë rast Komandanti i Përgjithshëm, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë. Protokolli zyrtar ushtarak nuk tregon as respektin minimal njerëzor kur eprorë, kolegë dhe veteranë me kontribut në hierarkinë e Forcave të Armatosura, vdesin. E drejta tradicionale e pajisjes dhe e festimit me uniformën ceremoniale ushtarake është braktisur. Kushte lehtësuese për shërbimin mjekësor dhe për strehimin nuk na ofrohen. Performanca stërvitore mbahet sekret për ne. Shtëpitë e ushtarakëve janë vënë në dispozicion të qëllimeve të biznesit jo të qëllimeve ushtarake dhe shpesh shërbejnë si seli e zyra për partitë politike ku aderojnë ministrat e mbrojtjes. Ky bojkot total na ka krijuar bindjen se diferencohemi politikisht. Fakti që ne u nxorëm me shumicë në reformë dhe që nga ana tjetër u lamë pa mbrojtje dhe mbi një truall të zbrazët juridik e social, e përforcon këtë bindje.
Zoti Sekretar i Përgjithshëm
Zoti Admiral
Ne ushtarakët shqiptarë vendosëm ta ndërkombëtarizojmë çështjen e trajtimit tonë ushtarako-financiar pasi mjetet ligjore dhe demokratike të përpjekjeve i konsiderojmë të konsumuara. Qeveria jonë nuk i respekton ato. Ajo nuk respekton as verdiktin e Gjykatës Kushtetuese duke i dhënë kështu një grusht të rëndë fazës përfundimtare të gjykimit nga drejtësia shqiptare. Ne kërkojmë ta nënvizoni këtë fakt, si provë të qëndrimit të saj antidemokratik. Por duke qenë se ky vendim ka të bëjë me dinjitetin dhe integritetin ligjor të rreth 25 mijë ushtarakëve shqiptarë, duhet nënvizuar edhe si provë e qëndrimit të saj antiushtarak. Provave të qëndrimit antiushtarak u duhet bashkangjitur gjithashtu zhdukja pa transparencë destinacioni e miliona eurove që thuhet se janë dhënë nga strukturat e NATO- s dhe nga aleatët për integrimin e ish- ushtarakëve shqiptarë në tregun e punës si dhe të milionave të siguruara nga shitja e pasurive dhe pronave kolosale të trashëguara nga ushtria e periudhës së diktaturës. Ato nuk janë përdorur për modernizimin dhe ristrukturimin ushtarak. Dyshimi ynë serioz, të cilin insistojmë ta merrni në konsideratë, është se ushtria shqiptare e ashtuquajtura më e militarizuara e Ballkanit u demilitarizua nëpërmjet vjedhjes dhe korrupsionit. Do ta çmonim shumë në qoftes e Ju do të ndërmerrni hapa investigues lidhur me këtë dyshim. Do të ndjeheshim mjaft të vlerësuar nëse për këtë çështje do të kërkonit angazhimin dhe konstatimet tona. Na lejoni të vëmë në vëmendjen e autoritetit Tuaj të lartë se komuniteti ynë ushtarak e më gjerë, sugjeron përdorimin e influencës së këtij autoriteti për detyrimin e qeverisë shqiptare t'u përmbahet standardeve ligjore, ekonomike e sociale të denja për ushtarakët, për statusin e tyre si shërbëtorë e monopol i shtetit dhe të përqasura me ato të kolegëve të ushtrive europiane. Me përqasjet aktuale më të ulëta se standardet ballkanike ushtria shqiptare nuk mund të bëhet pjesë e modelit europian. Influenca Juaj është e domosdoshme, pasi Qeveria jonë është pozicionuar kundër çdo konsultimi të përbashkët me ne. Trajtimi ynë është precedent pesimizmi për karrierën e ushtarakëve të rinj.
Një përgjigje për fillimin e shqyrtimit të shqetësimeve tona, pos shprehjes se vullnetit Tuaj të mirë, do të konsolidonte besnikërinë e komunitetit tonë të madh ndaj qëllimeve të Aleancës së Atlantikut Verior. Mund ta provoni në çdo moment se kodi ynë i besueshmërisë dhe i ndershmërisë qëndron më lart nga ai i qeverisë shqiptare.
Me Shprehjet e Nderimit më të Lartë Ushtarak
Ushtarakët e Tiranës së Re (zona 5)
e SHKURSH (anëtare e asociuar e CIOR)

\n This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it  

 
Kolonel Pëllumb Zaimi (Kryetar)
Major  Ilir Çurri (Nënkryetar)
Kolonel Bujar Aloçi, Ali Veizi, Xhevat Çela, Vladimir Tashi
Kolonel Policie, Ritvan Zotkaj
Ish Zëvendës ministë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›