E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, pensionet për 150 përfituesit e rinj

30/05/2011  Instituti i Sigurimeve Shoqërore detajon llojet e përfitimeve të lidhura gjatë javës që lamë pas

Zgjerohet më tej lista e pensioneve të llogaritura për ish-ushtarakët. Gjatë ditës së djeshme, organet e sigurimeve shoqërore kanë publikuar edhe listën me 150 përfitimet e reja të llogaritura gjatë javës që lamë pas. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plotë emrat e rinj përfitues, së bashku me detajimet për llojin e pensionit të llogaritur për secilin prej tyre. Sipas të dhënave të bëra publike nga ekspertët e këtij institucioni, rezulton se numri i pensioneve të lidhura gjatë javëve të fundit ka pësuar rritje të vazhdueshme. Kjo pasi me vendim të posaçëm të qeverisë janë shtuar edhe dikasteret përgjegjëse në ndihmë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat do të përshpejtojnë procedurat për plotësimin e të dhënave të kërkuara mbi vjetërsinë e shërbimit dhe pagën referuese për secilin aplikues. Llogaritja është e thjeshtë për çdo përfitues. Në zbatim të aktit normativ nr. 5, datë 10.11.2010, vjetërsia e shërbimit shumëzohet me 1.5 për qind dhe ajo që del shumëzohet me pagën neto mesatare referuese. Kjo shumë nuk mund të jetë më e vogël se një pension bazë. Megjithatë, para se të bëhet kjo llogaritje nga sigurimet shoqërore, ministritë e linjës duhet të kenë plotësuar dokumentacionin përkatës për përfitues. Në kërkesat dërguar ministrive, sigurimet shoqërore kanë kërkuar prej tyre plotësimin e dy formularëve: një për vërtetimin e vjetërsisë së shërbimit dhe të pagës mesatare referuese, dhe një për pagën referuese në muajin e lindjes të së drejtës për përfitim. Plotësimi dhe dorëzimi i këtyre të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe SHISH-i i hap udhë të menjëhershme procesit të llogaritjes së ndarjes së parave. Vetëm pas marrjes së formularëve të plotësuar, sigurimet mund të bëjnë llogaritjen e masave të pensionit që do të jepet për secilën kategori.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›