“Skafandra” çon në pranga 22-vjeçarin, u kap me drogë dhe armë
TIRANË – Vihet në pranga Andi Hamberi, pasi gjatë një kontrolli iu gjendën një sasi lëndësh narkotike dhe armë. “Specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës të Policisë së Tiranës organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Skafandra”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë 22-vjeçari Andi Hambari, banues në Tiranë, kurse u shpall në kërkim një tjetër i dyshuar”, – bën të ditur Policia e Tiranës.
Policia tha se dje, në orën 13:00, në rrugën “Thanas Ziko”, 22-vjeçari Andi Hambari është kapur në flagrancë me 1 gram lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë. Pas veprimeve hetimore dhe kontrollit të kryer u gjet dhe sasia prej 266.2 gramësh lënde narkotike e llojit heroinë e ndarë në tri qese dhe 23 doza gati për shitje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia prej 267.2 gramësh heroinë, 39 fishekë model 56, 67 fishekë model 54, një motor tip “Aprila”, një makineri përzierëse për lëndët narkotike dhe një telefon celular.
Pranga 5 personave, trafikonin klandestinë në Greqi
TIRANË – Pranga pesë personave, kalonin në mënyrë të paligjshme klandestinë nga fshati Vernik i Devollit. Operacioni policor i koduar “Lugina e Vernikut” çoi në arrestimin e Zenel Çokës, Gazmend Muçajt, Njazi Lamajt, Genci Muçekut dhe Besnik Vlashit.
Personat e mësipërm janë kapur në flagrancë dje gjatë momenteve duke i dhënë ndihmë për të kaluar kufirin një grupi prej 14 personash në fshatin Vernik Devoll kundrejt një pagese nga 300-500 euro. Këta shtetas janë mbajtur në mbikëqyrje për një periudhë prej dy muajsh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete, të cilat shërbenin për transportin e personave, dy pasaporta dhe 5 telefona celularë. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprën penale “ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit në bashkëpunim”, do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë.
Zbulohet arsenali i tritolit, pranga 21-vjeçarit
SHKODËR – Dy shpërthimet e fundit të ndodhura në qytetin e Shkodrës kanë vënë në lëvizje policinë e këtij qyteti për të zbuluar prejardhjen e këtyre lëndëve plasëse. Në kuadër të operacionit të koduar “Ndezësi”, aksioni policor synonte të kapte autorin e dy ngjarjeve të rënda të vënies së eksplozivit në dy banesa të qytetit verior brenda një kohe mjaft të shkurtër.
Bëhet fjalë për shpërthimin e shkaktuar në shtëpinë e avokatit Gjon Lepuri, si dhe eksplozivin e vendosur te shtëpia e një gazetari të “Fiks fare”, që të dyja ngjarje që kanë tronditur opinionin në qytetin e Shkodrës. Policia bën të ditur se janë sekuestruar 23 kallëpe tritoli prej 250 gramësh, 3 kallëpe prej 500 gramësh, 16 kapsolla fitil ndezës, 3 kuti me barut, 4 kapsolla elektrike, 3 m fitil, 1 thikë dhe 36 fishekë. Forcat e policisë së Shkodrës bëjnë me dijeni se i gjithë ky arsenal luftarak është gjendur i fshehur në shtëpinë e Roland Lumçit, 21 vjeç, banues në Pistull të komunës Haimel, ndaj të cilit ishte marrë informacion në rrugë operative se dispononte të tilla lëndë. Policia po kryen veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materialet në ngarkim të të arrestuarit, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale “prodhim dhe mbajtje pa leje e municioneve luftarake” si dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.
20 Mars 2010