PS, ose një ujk me këmbë të bardhë për jugun e vendit
Deklaratat e PS-së për diskriminim të jugut nga qeveria “Berisha”, ndër të tjera mund të ketë një efekt të kundërt në veri të vendit, i cili mund të hezitojë për të votuar të majtën. Ata mund ta perceptojnë deklaratën e PS-së në kah të kundërt, si diskriminim për ta nëse socialistët vijnë në pushtet.
Krejt papritur dhe jashtë çdo logjike aktuale politike, ekonomike dhe etike, Partia Socialiste vendosi dje në bazë të fushatës së saj elektorale, dy ditë pas dekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, diferencimin e shqiptarëve sipas relacioneve gjeografike: veriu dhe jugu.
Në një deklaratë të kësaj selie thuhet ndër të tjera se qeveria e Berishës ka investuar vetëm në veri duke diskriminuar jugun, duke sjellë si shembull për këtë paratë e hedhura për rrugën Durrës-Kukës dhe vetëm për këtë rrugë, ndërsa nga ana tjetër si shembull diskriminimi, një numër rrugësh që nuk kishin mbaruar ende në jug të vendit.
Nuk duhet shumë punë për të vërtetuar se ajo çfarë shkruhej në deklaratën e PS-së, nuk është aspak e vërtetë. Qeveria ka hedhur qindra milionë euro në rrugën Durrës-Kukës, por ky investim më së paku u drejtohet banorëve të zonave veriore me përjashtim të disa fshatrave të veçuara të Mirditës dhe disa të tjerave në Kukës të cilët nuk janë aq të izoluar edhe pa këtë rrugë. Në veri të vendit përveç Mirditës dhe Kukësit ku kalon autostrada, ka edhe shtatë rrethe të tjera në të cilat nuk kalon rruga dhe përveç saj, nuk ndihen edhe ndikimet e saj në një nivel të dukshëm, ndërsa vetë rruga nuk është se u dedikohet atyre. Tropoja ka një distancë me skajin më të afërt të kësaj rruge rreth 80 km, Hasi ka rreth 30 km, Puka rreth 70 km, Peshkopia 80 km, Bulqiza 50 km dhe Burreli 20 km.
Kryesisht, kjo rrugë në anën tonë i shërben Durrësit, Shëngjinit, Velipojës, Kavajës, Vlorës, Bregut, Sarandës. Efektet e saj do të jenë të menjëhershme në të gjithë zonën bregdetare të jugut ku turistët verorë nga Kosova nuk kanë shkuar vitet e tjera për shkak se u duhej gati dy ditë rrugë, ndërsa pas ndërtimit të autostradës u mjafton gjysma e një dite. Pra, një fshatar i Tropojës së Vjetër dhe një fshatar i Rradhimës në Vlorë kanë përfitime krejt të ndryshme dhe sipas këtij krahasimi, ai i Tropojës është i diskriminuar, pasi kësaj here rruga Durrës-Kukës i heq edhe kosovarët që ndalonin për kafe bri rrugës Gjakovë-Bajram Curri, ndërsa atij të Rradhimës ia çon për gjashtëdhjetë ditë pushime një numër të konsiderueshëm pushuesish. Me të njëjtën logjikë mund të flasim për pukjanët dhe bizneset e tyre verore përgjatë rrugës së vjetër që diskriminohen, ndërsa fshatarët e Qeparoit, Himarës apo Ksamilit do të presin më shumë pushues dhe më të bujshëm se vitet e shkuara, çfarë do thotë për ta më shumë para, më shumë cilësi jete dhe më shumë investime private.
Por ndërkaq, qeveria ka bërë investime të tjera në veri të vendit, si rrugë, ujësjellës dhe kanalizime, por gjithsesi në volum parash dhe punimesh që nuk afrojnë me ato të bëra në jug. Mjafton të përmendësh vetëm korridorin nga Dhërmiu në Borsh, atë Gjirokastër-Tepelenë dhe Gjirokastër-Sarandë, Korçë-Pogradec apo Lushnjë-Fier për të lënë të vetmuar logjikën e deklaratës së PS-së.
Por a ka qenë një lajthitje kjo deklaratë e PS-së? Natyrisht që jo, nuk ishte lajthitje, por argumentet mbi të cilat është ndërtuar janë tërësisht të vjetra e të tejkaluara tashmë. Ato vijnë aq të përmbysura deri në këto ditë sa një tezë e tillë mund të shpjegohet vetëm me fakte, edhe ato të zbehta, që vijnë prej viteve të qeverisjes komuniste.
Gjatë periudhës së diktaturës, vuajtjet në veri kanë qenë më të mëdha se në jug të vendit, qoftë edhe për shkak se nomenklatura e atëhershme shtetërore përbëhej kryesisht nga të ardhur prej zonave jugore ku edhe lufta partizane ka qenë më e shtrirë dhe më e suksesshme dhe nëpërmjet tyre realizohej në një masë të vogël zbutja e diktaturës apo represionit fizik e politik. Varfëria e thellë e këtyre zonave solli edhe një perceptim për ta si të prapambetur dhe me një distancë sociale me jugun e vendit.
Kjo bëri që në ‘90 përmbajtja e protagonistëve të lëvizjes së dhjetorit nga veriu të ishin në një proporcion tjetër nga pjesëmarrja e tyre në pushtetin komunist. Qysh ditën e parë të pushtetit të PD-së, proporcioni i dhjetorit ‘90 është prishur duke ruajtur strikt edhe proporcionet gjeografike të qeverive të Berishës, por edhe administratës deri në nivele më të ulëta. Trazirat e 97-ës e sollën sërish problemin veri-jug në vëmendje, por kur vuajtjet nga rebelimi në jug ishin njësoj si në veri, u harrua kjo tezë.
Edhe deklaratat e Spartak Ngjelës, artikuluar këto ditë për Partinë e Punës së Jugut dhe Partinë e Punës së Veriut janë të pamjaftueshme për të ndezur te Partia Socialiste nervin e një diversioni të këtij lloji, qoftë për shkak se Ngjela nuk nënkupton ndarjen jug-veri, por provokon politikisht elita politike, qoftë për shkak se Ngjela është një individ dhe jo një formacion që bart shumë më pak përgjegjësi sesa një parti politike që pretendon të marrë pushtetin.
Tërheqja e vëmendjes së elektoratit të zonave të jugut me këtë slogan përçarës tregon se socialistët janë në krizë të vërtetë programore dhe alternativash. Kjo duhej të ishte thirrja e fundit dhe më e dëshpëruara që një politikan në Shqipëri duhet të përdorte në një fushatë zgjedhjesh.
Por a mund të ketë sadopak sukses elektoral Partia Socialiste me këtë tezë? Pothuajse kurrfarë suksesi, aq sa kishte sukses ujku me këmbë të bardhë te shtëpia e kecave. PD-ja ka fituar në fshatrat e jugut të vendit zgjedhjet lokale në 2007-ën me një rezultat që nuk e ka njohur ndonjëherë. Edhe nëse nuk ruan këtë fluks votash në zgjedhjet e 2009-ës, është e sigurt që ajo do të marrë shumë më tepër vota se në 2005-ën, në shumë prej zonave tradicionalisht të majta, për shkak të investimeve të shumta atje. Ndërkaq, nga këndvështrimi demografik, jugu i vendit ka shumë më pak banorë sesa kishte në ’90. Shumica prej tyre kanë ardhur në Tiranë, ndërsa më pak në emigracion ose në dy qytetet e mëdha të jugut, Vlorë dhe Fier. Nëse qëndrojmë brenda logjikës së PS-së se jugu qenka diskriminuar shumë nga qeveria e Berishës, mbetet të thuhet se “të diskriminuarit” janë shumë pak dhe shumë e shumë më pak ata që do të besojnë se vërtet janë diskriminuar.
Por mund të ketë një efekt të kundërt në veri të vendit të cilët mund të hezitojnë për të votuar të majtën, pasi ata e perceptojnë deklaratën e PS-së tani në kah të kundërt, si diskriminim për ta, nëse socialistët vijnë në pushtet.