E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Tremujori i parë 2008, leku fiton terren ndaj valutave të huaja



Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008 kanë vijuar të kryhen nëpërmjet instrumentit kryesor të Bankës së Shqipërisë, marrëveshjes së anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, me një mesatare javore prej 4.46 miliardë lekësh.

Banka e Shqipërisë ndërhyri në dy raste edhe me instrumentin rregullues të saj, marrëveshje të anasjelltë riblerjeje me maturim njëditor, përkatësisht në shumat 2.00 dhe 3.00 miliardë lekë. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008, për investimin e likuiditeteve të lira, bankat përdorën depozitën njëditore, niveli mesatar ditor i të cilës ishte 5.07 miliardë lekë, në krahasim me 3.8 miliardë lekë në tremujorin e kaluar. Rritja e likuiditetit të investuar në depozitë njëditore ishte rezultat i rritjes së nivelit strukturor të likuiditetit të mbajtur nga bankat e nivelit të dytë. Ndërsa, instrumenti i kredisë njëditore gjeti përdorim rreth 0.95 miliardë lekë në 4 raste. Gjysma e parë e tremujorit të tretë të vitit 2008 ka qenë pozitiv për tregtimin e monedhës vendase. Leku ka fituar terren ndaj monedhave të huaja, si pasojë e disbalancës midis ofertës së lartë sezonale dhe kërkesës më të ulët. Kjo disbalancë i ka krijuar mundësi Bankës së Shqipërisë të blejë valutë, në plotësim të objektivit të Rezervës Ndërkombëtare Neto. Si rezultat i ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008, është blerë valutë në masën e 10.9 miliardë lekë. Gjatë kësaj periudhe, kanë vijuar të realizohen veprime të shitjes dhe të blerjes së valutës me Ministrinë e Financave. Shitjet e valutës gjatë tremujorit të tretë llogariten në 1,232.76 milionë lekë, ndërsa blerjet qenë 33.02 milionë lekë.

Blerjet e valutës nga institucionet e huaja llogariten në 84.98 milionë lekë (Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim, IDA dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, IBRD).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›