E Diel, 1 Nëntor 2026

Begu nuk pranon “vrasjen” ndaj Lul Berishës në gjyq

 

TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda e cilësoi të vlefshme dje masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë në vitin 2007 ndaj Kristian Begut, të akuzuar si anëtar i “bandës së Durrësit”. Ndërsa është ekstraduar nga shteti italian vetëm pak ditë më parë, ai u shfajësua dje në gjykatë duke mos pranuar asnjë nga akuzat që, sipas Prokurorisë, rëndojnë mbi të. Ditën e djeshme, 33-vjeçari Begu i akuzuar edhe për atentatin e para disa viteve ndaj të cilësuarit nga Prokuroria si kreu i “bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha, u paraqit dje në Gjykatën për Krimet e Rënda për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, gjykata vendosi të cilësojë të vlefshëm masën e sigurisë “arrest me burg” për Begun, e njëjta masë që u caktua për të në mungesë në 7 mars të vitit 2007. Vetë i pandehuri Begu refuzoi dje të kishte lidhje me akuzat që iu lexuan nga ana e prokurorit të çështjes. Burime brenda seancës saktësuan se Begu nuk pranoi asnjë nga akuzat. “Kam që në vitin 2005 që jetoj në Itali me familjen time. Nuk e di se çfarë lidhje kam unë me akuzat e ngritura ndaj meje. Unë nuk e di se çfarë provash kanë sjellë këta, por unë nuk kam lidhje”, mësohet të jetë shprehur ai para gjykatës, duke vijuar më tej që kjo që po i ndodhte po i shkatërronte familjen. Kristian Begu, u soll në pranga nga Italia pak ditë më parë, ndërsa u arrestua në këtë shtet nga një bashkërendim i Interpol Tiranës dhe Interpol Romës rreth një vit më parë. Ndërsa autoritetet e vendeve përkatëse ishin duke i dhënë “dorën e fundit” procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, Begu tentoi të përfitonte azil politik në Itali. Me anë të një kërkese ai kërkonte azil politik, për t’i shpëtuar ekstradimit në vendin tonë. Në kërkesë ai theksonte se nëse zbatohej urdhri për ekstradimin e tij në Shqipëri atij i rrezikohej jeta, pasi akuzohej për një nga atentatorët e Lulzim Berishës në vitin 2005. Sipas Prokurorisë, Kristian Begu ishte një nga personat që në 5 prill të vitit 2005 tentuan të organizonin një atentat për eliminimin fizik të të akuzuarit si kreu i “bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha. Por, teksa ishin duke u afruar për tek “objektivi”, automjeti në të cilin atentatorët po lëviznin u ndalua nga një polic rrugor, çka u prishi atyre gjithë planin. Pasi u ndaluan nga policia atentatorët u larguan me vrap, duke lënë në automjet armët me të cilat do të kryhej vrasja.                              ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›