E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarët e politikës dhe shërbëtorët e qytetit

Eduard Shalsi

Duke qenë shumë të vëmendshëm për gjithçka thuhet e shkruhet në lidhje ...me punën e Bashkisë së Tiranës, përfshirë këtu natyrisht edhe kritikat në adresë tonë, pavarësisht se nuk na habit më nuk mund të mos na bëjë përshtypje në shumë raste diferenca e jashtëzakonshme e vërejtjeve dhe sugjerimeve që vijnë nga qytetarë të thjeshtë të Tiranës dhe e atyre që vijnë nga politika apo ushtarët e saj.
Ndërsa kthehesha nga një inspektim në fushën e mbeturinave të Sharrës që do të jetë landfield-i i parë në Shqipëri - sa shumë kohë na është dashur të kemi një të tillë, teksa shfletoja në makinë shtypin e ditës më ra në sy titulli "Braktisja e Tiranës". I nxitur  nga detyrimi dhe përgjegjësia që kam nisa ta lexoja, sigurisht pa paragjykime, për të parë se ç'donte të thoshte artikullshkruesi me termin e fortë braktisje dhe se cilat ishin argumentet që sillte për të justifikuar titullin e zgjedhur. Në Bashkinë e Tiranës jemi mbruajtur me një kulturë të menduari, që kritikat  ti shohim si pjesë të rëndësishme të gjykimit mbi atë ç'ka bëjmë e duhet të bëjmë dhe çdo kritike e arsyetuar ka shërbyer si objekt analizë për përmirësimin e punës tonë. 
"Sa shumë mllef" ishte gjeja e parë që mendova pasi përfundova leximin e shkrimit në fjalë, autori i të cilit s'ishte munduar ta fshihte se nuk e kishte me Tiranën po me Edi Ramën që rëndom sulmohet për gjoja braktisje të Tiranës sa herë që përzien ujërat e ndenjur të politikës shqiptare, domethënë shpesh.
Duke mos dashur të merrem me retorikën politike që në fakt ishte fund e krye majaja e atij artikulli të fryrë me mllef, i vetmi "argument" i "braktisjes" ishte ai i mjedisit të ndotur të Tiranës. Edhe kjo "gjetje" është e shpeshtë në rastet e lartpërmendura. Sapo Edi Rama bën  një hap përpara për të pastruar rrugën e komunikimit e të sjelljes politike, ngrihen ushtarët e politikës dhe flasin për ndotjen e Tiranës.
Pra, s'është hera e parë e as e fundit që thuhet se Bashkia e Tiranës është përgjegjëse për ndotjen në Tiranë. Dhe rëndom, ashtu si dhe në këtë rast,  folësit ashtu si edhe ky artikullshkrues i radhës, vetëdemaskohen në qëllimin e tyre për shkak te një mosnjohjeje të atillë të problemit që mund të quhet me plote gojën shpërfillje e lirisë së shprehjes me qëllim manipulimin e lexuesit për motive krejt politike.
Po si ka mundësi që as s'e marrin mundimin të pyesin se cilat janë burimet e ndotjes në Tiranë, qoftë edhe për të ambalazhuar mirë motivet qe i shtyjnë të hiqen si qytetarë të shqetësuar? Po si ka mundësi që s'duan t'ia dinë as se çfarë kuadri ligjor ekziston për mjedisin në mënyrë që mashtrimi i lexuesit të mos jetë kaq i lexueshëm? Po pse s'interesohen as për kompetencat institucionale në këtë fushë që së paku të fshehin dorën pas ndonjë të vërtete teksa gurin e nxjerrë nga balta e politikës së vjetër nuk e fshehin dot nga fillimi në fund? Te vjen gjynah të shohësh sesi fitohet buka e gojës në kurriz të lexuesit nga ky soj shkruesish me pagesë a me vullnetin e lirë që të jep mllefi i pakontrolluar ndaj dikujt.
Jam i bindur që ky soj ushtarësh e di fare mirë se ç'ka bërë Bashkia në lidhje me mjedisin ne Tiranë dhe siç di edhe mbjelljen (që nuk e ka vënë re - siç thotë pa asnjë turp në shkrim ky tipi) e vazhdueshme të pemëve, të cilat vetëm për këtë vit do të arrijnë në 3 mijë, por do doja te mësonte edhe se ne, Tirana, jemi ftuar të jemi anëtarë të rrjetit të Qyteteve të Shëndetshme (Healthy Cities). Kjo jo se kemi arritur ndonje status të veçantë qyteti të shëndetshëm në kuadrin europian, por falë faktit se, për shkak të bëmave deri me jehonë ndërkombëtare të Bashkisë së Tiranës në këto tetë vjet, jemi botërisht të njohur si të ndërgjegjshëm, të angazhuar, dhe vazhdimisht në ecje përpara për përmirësimin e mjedisit të kryeqytetit. Megjithëse kompetencat tona mbeten tejet të kufizuara dhe megjithëse burimet financiare dhe mjetet në dispozicionin tonë janë tejet modeste. (Besoj mjafton të them se qytetet evropiane me një numër popullsie të ngjashëm me Tiranën shpenzojnë vetëm për pastrimin aq sa Bashkia e Tiranës ka buxhetin total!)
Pak më sipër thashë se sa shumë kohë na u desh për të patur një landfield të parë në Shqipëri, dhe nuk mund të mos përmend se që në 2002 kemi bërë një projekt-propozim për një zgjidhje përfundimtare të çështjes së mbetjeve, që nëse do të ishte debatuar dhe analizuar me maturi që asokohe e në vazhdim do të kish sjelle një zgjidhje shumë më parë se ajo që po mundësojmë në Sharrë. Propozimi ynë, përveçse konkret, jepte një vizion të mënyrës se si duhej zgjidhur problemi, por vendimmarrja i takonte e i takon ende qeverisë shqiptare sepse është ende kompetenca e saj jo e qeverisjes vendore. Por në vend të bëhej objekt i diskutimeve, debatimeve, analizave ai projekt konkret që sot do ishte realizuar përfundoi kushedi në çfarë sirtarësh kryeministrore, me gjithë imperativin e problemit të vend depozitimit të mbetjeve. Mund te përmend edhe shumë raste të tjera në lidhje me mjedisin ku thirrjet tona kanë rënë në veshë të shurdhët megjithëse jemi i vetmi institucion në Shqipëri që prej vitesh ka një strategji të gjelbër hartuar me ekspertë vendas e të huaj.
Ne vend që sot të përplaseshim me ide dhe argumente për cilësinë e mjedisit, te diskutonim për skenarë të ndryshëm zhvillimi të qëndrueshëm dhe politika të gëlonte nga debatet mbi atë se cilat janë alternativat e mirëqenies që mbrojnë mjedisin, të debatonim për shembull se mbi çfarë kriteresh do të vendosej përzgjedhja e një vendi depozitimi te ri të mbeturinave të Tiranës e ku është ky vend jetik pas disa vitesh kur Sharra do këtë mbaruar misionin e saj, ne na duhet e përballemi me retorikën vulgare të politikës se ditës.
Nuk mund te kemi as produkte me të mira dhe as rezultate më pozitive përsa kohë që kjo retorikë e mllefit dhe e rrugëve të përbaltura te komunikimit nuk do ti lërë vendin një reflektimi shumë më serioz e të thellë të vetë politikës për shkaqet e problemeve me të cilat përballemi dhe zgjidhjet që duhen dhënë. Sa më shumë të shkëputemi nga e para dhe sa me shumë të investohemi dhe përqendrohemi tek e dyta aq më mirë do të jetë për të gjithë. Ndoshta përveç sojit të shkruesve që nxitën edhe këtë reagim, për të cilët do të ketë më pak vend në gazetat serioze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›