E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një sistem, dy probleme

Skënder Minxhozi

Megjithëse nuk ka qenë  prezent ditën kur Kuvendi ka aprovuar paketën kushtetuese që përmbysi sistemin elektoral mazhoritar të korrigjuar, Edi Rama ka pasur në sallë më të çuditshmin dhe të papriturin e "avokatëve". Sali Berisha, kundërshtari kryesor politik i kreut të PS-së, pasi ka përsëritur faktin e njohur se as ai s'mund të punojë në favor të Ramës dhe as ky i fundit në favorin e tij, ka lëshuar një frazë që dukej e bërë enkas për gojën e kryeopozitarit. "Nuk lejojmë ne që krerët e partive të vogla të bëhen kryeministri", tha pak a shumë Berisha, duke nënkuptuar me "ne", veten e tij dhe vetë Ramën, kurse me "krerët e partive të vogla", Ilir Metën.
Nën këto komente, ku nuk dukej qartë se ku fillonin llogaritë e PD-së e ku mbaronin ato të PS-së, Kuvendi i Shqipërisë i dha vendit një sistem vote, i cili sjell vërtet një risi në mënyrën sesi do të administrohet vullneti i zgjedhësve, porse i dha njëherësh jetë dy tipologjive krejt të ndryshme politike në të dy krahët e spektrit. Menjëherë pas votës (megjithëse shenjat ishin dukur më parë), duket se dy fenomene të ndryshme, të cilat i përgjigjen mënyrës së ndërtimit dhe organizimit të dy krahëve, filluan të shfaqen.
Nga njëra anë, e djathta e përjetoi pa ndonjë dramë apo frakturë të dukshme, adoptimin e sistemit të ri proporcional. Duke qenë se sherri për pjesën tjetër të reformës, atë që prekte presidentin, zuri pjesën më të madhe të debatit brenda të djathtës, çështja e zgjedhjeve u duk sikur u la në plan të dytë. Kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Të vegjlit pranë Berishës patën "guximin" të deklarojnë në disa raste se gjithçka po ndodhte shpejt dhe pa konsultimin paraprak mes komponentëve të koalicionit. Mediu, Ndoka dhe Pollo mbajtën megjithatë një qëndrim dukshëm më korrekt dhe të përmbajtur ndaj PD-së, sesa u pa në kampin e majtë ndaj PS-së. Dhe arsyet janë të kuptueshme. Së pari, vjen autoriteti i kryeministrit, i cili edhe këtë radhë mundi të verë në rresht, jo me vështirësi, aleatët e tij. Akordi i përfolur për futjen e krerëve të partive në listat proporcionale të PD-së, mesa duket përbën karrotën. Sa për shkopin, nuk është e vështirë të imagjinohet se kauza e të vegjëlve djathtas, duket e dëmtuar jo pak nga fakti që ata kontrollojnë ministritë më të rëndësishme dhe janë nën autoritetin direkt të kryeministrit, por sidomos edhe nga tragjedia e Gërdecit, ku ikona e gjithçkaje të keqe duket se është Fatmir Mediu, kreu i një "partie të vogël". Të paktën në sytë e demokratëve.
Kjo panoramë i jep dorë Berishës, që me sistemin e ri në dorë, të luajë sipas dëshirës nesër, kur të afrohen zgjedhjet. Formalisht ai vijon të deklarojë se e djathta do të shkojë si koalicion në zgjedhje, pra me lista të veçuara partish. Një gjë mjaft e vështirë, nëse e vendosim në logjikën e proporcionalit rajonal, ku ndihma për ata që mbeten jashtë "gardhit", bëhet shumë e vështirë. Kësisoj, ndryshe nga kundërshtarët e tij politikë, Berisha ka një lojë mjaft komode edhe në kornizat e sistemit të ri elektoral, po aq sa ç'e ka të vështirë këtë lojë Edi Rama. Kryeministri e di fare mirë këtë, ai e di se PS-ja do të përplaset fort me LSI-në dhe ish-aleatët e tjerë në zgjedhje (një gjë e parë kjo edhe më 2005), çka do t'i jepte një minimum sigurie për të mos humbur përballë socialistëve.
Nga ana tjetër e peshores, e majta vijoi të bëjë gjatë ditës së aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, atë që kishte para dhe pas Gërdecit. Pra, të debatojë dhe të sherroset hapur, në sytë e opinionit publik. Megjithëse efekti i sistemit do të bjerë njëlloj si majtas, ashtu edhe djathtas, opozita, besnike e traditës së saj të debateve të zhurmshme dhe e luftës së brendshme "deri në pikën e fundit të gjakut", nuk po i zhgënjen fansat e konfliktit edhe në rastin në fjalë. Rama ka fituar sistemin elektoral që deshi, por ai e di fare mirë se tashmë ka në dorë një thikë me dy (apo më shumë) presa. Natyrisht që sistemi do ta dëmtojë peshën politike të LSI-së, si dhe do të zhdukë nga harta politike partitë e tjera, porse kjo rrethanë mund të dëmtojë edhe vetë PS-në, në rast se LSI, siç po duket, do të angazhohet me mish e me shpirt që ta çojë në humbje PS-në, për herë të dytë, pas disfatës së 3 korrikut 2005. Dhe që të shmangë fatin e Nanos, Ramës i duhet të llogarisë me kujdes të gjitha lëvizjet që do të bëjë në të ardhmen brenda opozitës, por edhe brenda partisë që drejton, pas zërave të ish-kryetarit Nano për një rikthim eventual në shtator.
Natyrisht që si Berisha, ashtu edhe Rama, u besojnë shumë mekanizmit të sistemit që sapo kanë aprovuar dhe që bazohet mbi dekurajimin e bazës së partive të vogla dhe mbi triumfin e heshtur të tezës, që thotë se me këtë sistem të ri, çdo votë e hedhur për të vegjlit është një votë e çuar dëm. Ata besojnë se në një vit kohë që na ndan nga zgjedhjet, thelbi dhe filozofia numerike e sistemit të ri zgjedhor do të jenë asimiluar nga turma e madhe e votuesve, me shpresën se ky ka për të qenë kali i vërtetë i Trojës në oborrin e politikës shqiptare. Këto janë kalkulime që ngrihen mbi një logjikë që sot gjendet e rrezikuar nga shumë të panjohura. E për sa kohë që është kështu dhe jo ndryshe, ajo që ndodhi me votimet në Parlament, është njëherazi edhe zgjidhje, edhe problem për ata që vendosën ta venë në lëvizje mekanizmin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›