E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet në aksident aktori i njohur korçar, Perika Gjezi



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Shuhet në një aksident automobilistik aktori i teatrit të Korçës Perika Gjezi. Artisti i mirënjohur korçar u nda nga jeta në moshën 61-vjeçare mesditën e djeshme, kur makina i tij u përplas me një tjetër mjet në aksin Voskopojë-Korçë. Sipas burimeve të policisë që hetuan ngjarjen, Perika Gjezi ishte duke udhëtuar i vetëm me automjetin tip Golf me targë KO 34 14 A. Ai po kthehej nga fshati Voskopojë ku kishte kaluar disa orë të fundjavës, për në qytetin e Korçës. Jo shumë larg zonës turistike të Voskopojës, në një segment rruge, ku fillon një tjetër degëzim për në drejtim të fshatit Lekas, aktori korçar që drejtonte makinën e tij personale është përplasur me një mjet fuoristradw me targë KO 32 81 A, që po ngjitej drejt Lekasit. Si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, ndërsa Perika Gjezi po udhëtonte në të tatëpjetë, ai ka humbur kontrollin e drejtimit të makinës së tij. Më pas, mjeti ka rënë në terrenin malor duke pësuar disa rrokullisje derisa ka ndaluar në disa shkurre e pemë. Grupi i hetimit, i asistuar edhe nga një mjek ligjor konstatuan se Gjezi kishte pësuar vdekjen e menjëhershme. Megjithëse në vend mbërritën shumë shpejt edhe banorë të zonës, askush nuk mundi ta ndihmojë aktorin, pasi ai kishte ndërruar jetë. Sipas burimeve, në spitalin e Korçës mbërriti dhe drejtuesi i mjetit me të cilin u përplas viktima. Por pas ndihmës së parë ai e kaloi rrezikun për jetën. Burime spitalore bënë të ditur se i plagosuri kishte pësuar vetëm disa plagë që nuk i vinin në rrezik jetën. Në orët e pasdites ai u shoqërua në komisariatin e policisë, për të sqaruar rrethanat e aksidentit tragjik. Dyshohet se shpejtësia në rrugën nacionale të ketë provokuar dhe përplasjen.
Perika Gjezi me njw karrierë të pasur artistike njihet si një nga aktorët më të spikatur korçarë dhe nga më të njohurit e brezit të tanishëm. Ai ka interpretuar role të shumta si në teatër edhe në kinematografi. Perika Gjezi ka interpretuar në skenë krahas aktorëve të mëdhenj të ekranit, si: Margarita Xhepa, Kadri Roshi, Ndrek Luca, Agim Qirjaqi, Robert Ndrenika, Albert Vërria, Sulejman Pitarka por edhe ata të brezit të tij, si: Marko Bitraku, Perika Riza, Dhimitër Orgocka, Zamira Kita etj. Gjithashtu ai ka pasur role edhe përkrah aktorëve më të njohur korçarë që nuk jetojnë më si Pandi Raidhi, Aleko Prodani e Jani Riza. Edhe ky i fundit, vite më parë pësoi një fund të ngjashëm tragjik pasi humbi jetën në një aksident automobilistik në afërsi të Korçës.

Rolet e interpretuara nga Gjezi
Ndër rolet e fundit të Perika Gjezit ka qenë ai në shfaqjen e komedisë “Nina”, ndërsa rolet më të njohura të tij janë ato tek drama “Pamje nga Ura”, “Dënimi i dytë i Homerit”, “ëndrra e një nate vere”, apo në filmat “Tokë e përgjakur”, “Agimet e stinës së madhe”, “Shtigje lufte”, etj. Aktori korçar Perika Gjezi ka shënuar mbi 120 role në skenën e teatrit të Korçës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›