Idrizi: Greqia të zbatojë 8 pika për kauzën çame
SARANDE/ SHPRESA DINE
Tetë pika për kauzën çame. Deputeti i PDU-së, Shpëtim Idrizi ka kërkuar angazhimin e Qeverisë shqiptare dhe ndërkombëtarëve për të detyruar Greqinë të zbatojë 8 çështje kryesore. Që nga pranimi publik i shtetit grek për masakrën çame dhe gjenocidin e shkaktuar ndaj kësaj popullsie shqiptare 66 vjet më parë, dëmshpërblim për familjarët e viktimave e deri tek kthimi i pronave e ndalja e diskriminimit për çamët ortodoksë që jetojnë brenda territorit grek. Thirrja ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe Qeverisë shqiptare u bë nga Qafë-Bota, aty ku që prej së shtunës marshuan mijëra vetë, anëtarë të komunitetit çam, por dhe shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. "Tashmë kauza jonë është gjithnjë e më pranë realizimit", pohoi Idrizi, duke kërkuar që Greqia të imponohet për zbatimin e këtyre pikave. Marshimi në përkujtim të gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore ka shënuar këtë vit kulmin e tij. Ai nisi që të shtunën, për të përfunduar mbrëmjen e djeshme, në pikën fundore mes Shqipërisë dhe Greqisë, në Qafë-Botë. Përvjetori i 66-të i masakrës, ndonëse u përkujtua i ndarë nga dy partitë çame, PDU dhe PDI, ai u bë shkak që drejtuesit e tyre të bëjnë thirrje për bashkim. Ndërsa të shtunën, në fjalën e tij Idrizi kërkoi bashkëpunim me PDI-në për të luftuar për çështjen çame, të njëjtën deklaratë bëri dhe Tahir Muhedini gjatë fjalës së tij ditën e djeshme. "Dita e gjenocidit ka një datë, që është 27 qershori dhe nuk do të lejoj që këtë datë ta nëpërkëmbin. I jap mesazh Shpëtim Idrizit që kjo datë të ishte për të gjithë bashkë dhe jo të festonim veç e veç. Ne jemi forca politike dhe nuk përfaqësojmë komunitetin çam, por një elektorat që na ka votuar. Komuniteti çam bën pjesë në shumë forca politike". Nga ana e tij, përfaqësuesi i shoqatës "çamëria", dega Sarandë, Nuredin çapari deklaroi se "çamëria na do të bashkuar". Të njëjtën thirrje bëri dhe kreu i shoqatës, Ardian Thana. "Jemi mbledhur sot, këtu, në 27 qershor, për të përkujtuar të rënët që shovinizmi, urrejtja greke i theri, vrau, dogji pa mëshirë. Amaneti i tyre nga fundi i dheut na thërret të jemi të gjithë bashkë për çamërinë. Kthimi në çamëri do të jetë premtimi ynë i mbajtur". Ashtu si dhe një ditë më parë, marshuesit ndalën në fshatin Kllogjer, ku ndodhet pllaka përkujtimore e varreve masive e më pas rrugëtimi vazhdoi deri në Qafë-Botë.
Kërkesat e çamëve:
1. Pranimin publik të fajit prej Greqisë, shtetit shkaktar të këtij gjenocidi dhe kërkimin e një faljeje.
2. Dëmshpërblimin për familjarët e viktimave të pafajshme të këtij gjenocidi.
3. Mundësi për anëtarët e komunitetit çam për të vizituar tokat dhe varret e të parëve.
4.Ngritja e lapidarëve apo monumenteve që nderojnë të vdekurit dhe të vrarët e asaj periudhe dhe heqjen e memorialeve të atyre që shkaktuan masakrat mbi popullsinë shqiptare çame.
5. Restaurimin e së drejtës së pronësisë.
6. Amendimin e ligjeve të vitit 1970-1980 në ato nene që ndalojnë ish-shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen.
7. Realizim të së drejtës së rikthimit në tokat e tyre të të gjithë atyre që e duan një gjë të tillë duke rifituar statusin e para Luftës së Dytë Botërore.
8. Ndalimin e diskriminimit të vëllezërve çamë ortodoksë, që jetojnë në trojet e tyre në Greqi dhe dhënien e të gjithë të drejtave, si për çdo minoritet tjetër në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për Minoritetet.