Ushtrimi i profesionit, mbi 50 pikë të marrë licencën
Mbi 50 pikë do t’u duhen kandidatëve që do t’i nënshtrohen provimit të shtetit, për të marrë licencën. Kaq është niveli më i ulët i kalueshmërisë në këtë testim, dhe nëse ky prag nuk kapërcehet, kandidatit do t’i duhet të përsëris provimin, që përveç kohës dhe përgatitjes ka edhe një kosto që vjen në rritje për çdo apel. Tarifat për t’iu nënshtruar këtij provimi do të variojnë nga 30 mijë lekë deri në 120 mijë, ndërsa shuma që do të paguhet do të varet nga dhënia e provimit. Kështu, për kandidatin që e jep provimin për herë të parë, vlera është 30 mijë lekë. Për kandidatin që e jep provimin për herë të dytë, vlera është 50 mijë lekë. Për atë që i nënshtrohet provimit për herë të tretë, tarifa shkon në 80 mijë lekë, për herë të katërt, në 100 mijë lekë. Ndërsa herën e pestë që është edhe e fundit, pasi kandidati ka të drejtë të japë provimin e shtetit jo më shumë se 5 herë, vlera shkon në 120 mijë lekë. Sipas rregullores së MASH, provimi me shkrim vlerësohet si i kryer me sukses, nëse kandidati merr jo më pak se 50 pikë nga 100 të mundshme. Kështu, provimi i shtetit do të cilësohet i kryer me sukses, nëse në provim kandidati është vlerësuar së paku me notën 5 (kalueshëm). Kandidati i vlerësuar me notën 4 (jokalueshëm), përsërit provimin. Rezultati i provimit do të shpallet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) dhe Urdhri Profesional (UP). AKP-ja i përcjell UP-së listën e rezultateve të provimit të shtetit, ku përfshihen: nota dhe pikët e provimit; kufiri i kalimit me sukses. Nëse gjatë korrigjimit të provimeve konstatohen gabime në pyetje, këto të fundit nuk do të merren parasysh. Në këtë rast ulet edhe numri maksimal i pikëve, ndërkohë që edhe vlerësimi fillon nga ky numër i zvogëluar i pikëve, që nuk duhet të jetë në disavantazh qoftë edhe të një kandidati të vetëm. “AKP-ja ka të drejtë që në rast se evidenton shkelje të rënda të rregullave të provimit, t’i propozojë Komisionit të Provimit të Shtetit vlerësimin e kandidatit që thyen rregullat, me notën “4-jokaluese”. AKP-ja mban procesverbal ku evidenton shkeljet e konstatuara. Nëse konstatohet se në një qendër provimi, provimi nuk është zhvilluar sipas rregullave, atëherë për kandidatët e kësaj qendre, kjo pjesë e provimit duhet të vlerësohet si jo e kryer. Vendimi për këtë është në kompetencë të AKP-së dhe KPSH-së”, - sqarohet në rregullore. Pas provimit, kandidati ka të drejtë të verifikojë përgjigjet e dhëna dhe të ankimojë nëse ka kontestime për rezultatin. Për këtë, kandidati paraqet ankesën me shkrim, pranë AKP-së, brenda 5 ditëve nga shpallja e rezultateve. AKP-ja shqyrton ankesën dhe kthen përgjigje të argumentuar brenda 30 ditëve. Në rastet kur AKP-ja sugjeron rivlerësimin e rezultatit, kërkohet vendimi i Komisionit të Provimit të Shtetit. Ndërsa për rastet kur një kandidat nuk paraqitet në provim ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar. Rregullorja përcakton se tërheqja nga provimi i shtetit nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallën e provimit.
Vlerësimi i provimit
Për vlerësimin e provimit të shtetit, përdoret shkalla e mëposhtme e vlerësimit:
Kandidati vlerësohet me notën 10 (shkëlqyeshëm) nëse merr 95-100 pikë.
Kandidati vlerësohet me notën 9 (shumë mirë) nëse merr 85-94 pikë.
Kandidati vlerësohet me notën 8 (mirë) nëse merr 75-84 pikë.
Kandidati vlerësohet me notën 7 (kënaqshëm) nëse merr 65-74 pikë.
Kandidati vlerësohet me notën 6 (mjaftueshëm) nëse merr 55-64 pikë.
Kandidati vlerësohet me notën 5 (kalueshëm) nëse merr 50-54 pikë.
Kandidati vlerësohet me notën 4 (jokalueshëm) nëse merr më pak se 50 pikë.
Tarifat e provimit
Testimi i parë, 30 mijë lekë
Testimi i dytë, 50 mijë lekë
Testimi i tretë, 80 mijë lekë
Testimi i katërt, 100 mijë lekë
Testimi i pestë, 120 mijë lekë.