E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një grup deputetësh të Komisionit të Integrimit në Kuvendin e Kosovës

Kryeministri Berisha priti sot anëtarë të Komisionit parlamentar të Integrimit në Kuvendin e Kosovës. 

Pasi u uroi mirëseardhjen deputetëve të Kosovës, Kryeministri Berisha vlerësoi ecurinë e zhvillimeve në shtetin e ri të Kosovës duke theksuar se pozitat e tij po konsolidohen dita-ditës.

Përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës shprehën mirënjohjen për angazhimin personal të Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.  Anëtarët e Komisionit të Integrimit në Kuvendin e Kosovës vlerësuan veçanërisht ftesën që Kryeministri Berisha u bëri vendeve pjesëmarrëse në Samitin e Parisit për Mesdheun që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta ndërmarrin këtë hap si kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.   

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për zhvillimet politike dhe ekonomike në të dyja vendet. Në këtë kontekst Kryeministri Berisha i njohu deputetët e Kosovës me arritjet e qeverisë shqiptare në këto fusha veçanërisht gjatë vitit të fundit. Kryeministri Berisha theksoi se në Shqipëri ekziston një klimë politike bashkëpunimi veçanërisht për reformat më të rëndësishme të vendit, duke nënvizuar se çdo vendim dhe çdo reformë e ndërmarrë në mënyrë konsensuale është më solide. Në rrafshin ekonomik, Kryeministri Berisha tha se ky është viti ku ekonomia shqiptare po tregon rezultatet më të thella si rrjedhojë e reformave të gjithanshme të ndërmarra dhe luftës së fuqishme kundër krimit dhe korrupsionit. 

Në 3-mujorin e parë - tha Kryeministri Berisha - Shqipëria njohu në shumë fusha një rritje dyshifrore. Kryeministri u ndal në rezultatet e arritura në zhvillimin ekonomik si pasojë e uljes së taksave, dixhitalizimin e procedurave dhe shërbimeve, ndalimin e prokurimeve të drejtpërdrejta, rritjen e të ardhurave uljen e shpenzimeve administrative, masa që kanë mundësuar edhe këtë vit një buxhet suplementar. Kryministri theksoi se fondet kryesore të buxhetit shtesë shkojnë për investime në infrastrukrë, të cilat në një rrafsh më të gjerë janë të rëndësishme jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin, siç është rruga Durrës-Kukës-Morinë, rruga e Arbrit  etj.  

Deputetët e Kuvendit të Kosovës u shprehën të impresionuar nga punimet në rrugën Durrës-Kukës-Morinë dhe në tunelin e saj të cilin e vizituan dje. 
Gjithashtu deputetët e Kosovës shprehën angazhimin e tyre për intensifikimin e bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›