V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME E SHTESA NË VENDIMIN NR.558, DATË 16.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM DHE INSPEKTIMIT TË PËRGJITHSHËM, NË MINISTRINË E BRENDSHME
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME E SHTESA NË VENDIMIN NR.558, DATË 16.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM DHE INSPEKTIMIT TË PËRGJITHSHËM, NË MINISTRINË E BRENDSHME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5/1, të ligjit nr.8487, datë 13.5.1999, “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Në vendimin nr.558, datë 16.8.2006, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për pagat e punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Inspektimit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Brendshme”.
b) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Inspektimit të Përgjithshëm, të jenë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
c) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Shtesa për natyrë të veçantë pune e shërbimi (kolonat 4 e 5, të lidhjes nr.1) jepet sipas funksioneve, të përcaktuara në këtë lidhje.”.
ç) Pas pikës 5 shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. “Specialistët, përgjegjësit e sektorit apo drejtorët e shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Inspektimit të Përgjithshëm, të cilët punojnë në pocizione, që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së këtyre drejtorive dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, arsimin e lartë, në degët “Inxhinieri elektronike” apo “Informatikë”, përfitojnë një shtesë, për kushte pune, prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh mbi pagën mujore, të gradës përkatëse. Zbatimi i kësaj shtese, për pozicionet konkrete, bëhet pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike dhe Ministrisë së Financave, sipas përshkrimit të pozicioneve të punës.’.
d) Pikat 5 e 6 numërtohen, përkatësisht, 7 e 8.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2009 do të përballohen nga fondet e miratuara për Ministrinë e Brendshme, në buxhetin e vitit 2009.
3. Ngarkohet ministri i Brendshëm për zbatimin e këtij zbatimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2008.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
21/01/2009