V E N D I M PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.862, DATË 20.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË “OPERATORI I SISTEMIT TË SHPËRNDARJES”, SHA”, TË NDRYSHUAR
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.862, DATË 20.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË “OPERATORI I SISTEMIT TË SHPËRNDARJES”, SHA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, dhe të neneve 168 e vijues e 181 e vijues, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.862, datë 20.12.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa:
1. Në fund të pikës 5 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Nga ky rregull bëjnë përjashtim kreditë, ndërmjet KESH, sha-së, dhe Bankës Evropiane të Investimit, në shumën 2,3 (dy presje tre) miliardë lekë, dhe ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, në shumën 2,68 (dy presje gjashtëdhjetë e tetë) miliardë lekë, sipas specifikimeve, të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, detyrimet e të cilave nuk do t’i transferohen OSSH, sha-së.”.
2. Pas pikës 5/2 shtohen pikat 5/3, 5/4 e 5/5, me këtë përmbajtje:
“5/3. Asetet e financuara nga kreditë afatgjata, të përfunduara gjatë vitit 2008, nga KESH, sha-ja, për OSSH, sha-në, në shumën 1,1 (një presje një) miliardë lekë, t’i transferohen Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), sha-së, dhe të regjistrohen në pronësi të këtij operatori.
Autorizohet ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ta pasqyrojë këtë transferimin në formën e uljes së kapitalit të KESH, sha-së, dhe të rritjes së kapitalit të OSSH, sha-së, përkatësisht në vlerën e përcaktuar më lart.
5/4. Detyrimet afatshkurtra, për blerjen e energjisë elektrike dhe tarifën e transferimit, që OSSH, sha-ja, ka, respektivisht, ndaj KESH, sha-së, dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sha-së, deri në shumën 1 (një) miliard lekë, të shuhen dhe të pasqyrohen si rritje kapitali e OSSH, sha-së.
Autorizohet ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të kryejë veprimet e nevojshme, për pasqyrimin e këtij veprimi.
5/5. Shuma prej 0,53 (zero presje pesëdhjetë e tre) miliard lekë, që i korrespondon pagimit të huave afatgjata, në vitin 2008, nga KESH, sha-ja, të pasqyrohet si rritje kapitali për OSSH, sha-në.
Autorizohet ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të kryejë veprimet e nevojshme, për pasqyrimin e këtij veprimi.”.
3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
06/03/2009