V E N D I M PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, PRANË SHKOLLËS SË LARTË PRIVATE “ISSAT”
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, PRANË SHKOLLËS SË LARTË PRIVATE “ISSAT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
14. Lejimin e shkollës së lartë private “ISSAT”, Tiranë, për hapjen e programeve të studimit “Master i nivelit të parë”, në fushat:
a) E drejtë ndërkombëtare;
b) Studime evropiane dhe diplomaci;
c) Menaxhim shëndetësor;
ç) Psikologji sociale dhe e komunikimit.
2. Programet e studimit “Master i nivelit të parë” janë pjesë e studimeve të ciklit të dytë, me, së paku, plotësimin e 60 krediteve. Në mbarim të programeve të studimit lëshohet diplomë “Masteri i nivelit të parë” (MNP), në:
a) “E drejtë ndërkombëtare”;
b) “Studime evropiane dhe diplomaci”;
c) “Menaxhim shëndetësor”;
ç) “Psikologji sociale dhe e komunikimit”.
3. Lejimin e shkollës së lartë private “ISSAT”, Tiranë, për hapjen e programeve të studimit “Master i nivelit të dytë”, në fushat:
a) Administrim-biznes, me profile:
i) Menaxhim biznesi;
ii) Financë-kontabilitet;
iii) Menaxhim i sistemeve të informacionit;
iv) Menaxhim turizmi.
b) Studime evropiane dhe diplomaci;
c) E drejtë ndërkombëtare;
ç) Menaxhim shëndetësor;
d) Psikologji sociale dhe e komunikimit.
4. Programet e studimit “Master i nivelit të dytë” do të jenë programe studimi të ciklit të tretë, në plotësimin e, të paktën, 60 krediteve. Në mbarim të programeve të studimit lëshohet diplomë “Master i nivelit të dytë” (MND), në:
a) “Administrim biznes”, me profile:
i) Menaxhim biznesi;
ii) Financë-kontabilitet;
iii) Menaxhim i sistemeve të informacionit;
iv) Menaxhim turizmi.
b) “Studime evropiane dhe diplomaci”;
c) “E drejtë ndërkombëtare”;
ç) “Menaxhim shëndetësor”;
d) “Psikologji sociale dhe e komunikimit”.
5. Shkolla e lartë private “ISSAT” do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikat 1 e 3, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se dy javë para fillimit të vitit akademik, lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.
6. Ndryshimet në vendndodhje, forma studimi, plane dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
7. Shkolla e lartë private “ISSAT” duhet t’u nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të këtyre programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.
8. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
28/05/2009