E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR MIRATIMIN E MASTERPLANIT PËR ZHVILLIMIN E PORTIT TË DURRËSIT

V E N D I M 

PËR 

MIRATIMIN E MASTERPLANIT PËR ZHVILLIMIN E PORTIT TË DURRËSIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 24, pika 2, 33, 50 e 51, të ligjit nr.9130, datë 8.9.2003, “Për autoritetin portual”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1.     Miratimin e masterplanit për zhvillimin e Portit të Durrësit, sipas studimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.     Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, autorizohet që, në zbatim të pikës 10, faqe XXIII, të masterplanit, të negociojë, me shoqërinë “Durrës Kurum Shipping”, sha, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kalimin e territorit të kantierit, në administrimin e Autoritetit Portual, Durrës.

3.     Territori i kaluar në administrim të Autoritetit Portual, Durrës, sipas pikës 2, të këtij vendimi, të destinohet për shërbime portuale, si terminal çimentoje, kontenierësh ose tragetesh, sipas marrëveshjes, që do të lidhet për këtë qëllim.

4.     Në varësi nga zbatimi i pikave 2 e 3, të këtij vendimi, të miratohet alternativa FR 310 e masterplanit, për zhvillimin e Portit të Durrësit.

Në rast se brenda afatit të miratuar në këtë vendim nuk plotësohen kushtet për zhvillimin e alternativës FR 310 të masterplanit, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të zhvillojë opsionin rezervë FR 360.

5.     Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Autoriteti Portual, Durrës, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


28/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›