V E N D I M PËR LEJIMIN E KALIMIT TRANZIT TË DY AUTOKOLONAVE USHTARAKE SLLOVENE, PËRMES TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D I M
PËR
LEJIMIN E KALIMIT TRANZIT TË DY AUTOKOLONAVE USHTARAKE SLLOVENE, PËRMES TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 16, pika 2, 17, 18 e 19, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Lejimin e kalimit tranzit, përmes territorit të Republikës së Shqipërisë, të dy autokolonave ushtarake sllovene, të përbëra, përkatësisht, nga 12 (dymbëdhjetë) dhe 15 (pesëmbëdhjetë) automjeteve ushtarake, me kontenierët respektivë, të cilat përmbajnë armatim, municione dhe materiale ushtarake, si dhe të 46 (dyzet e gjashtë) trupa ushtarake, në itinerarin porti i Durrësit – Qafë –thanë, më 15 gusht 2008.
Për 2 (dy) autokolonat ushtarake sllovene dhe 10 (dhjetë) trupa ushtarake pika e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë është pika e kalimit kufitar, porti i Durrësit dhe pika e daljes është pika e kalimit kufitar Qafë-thanë.
Për 36 (tridhjetë e gjashtë) trupat ushtarake sllovene, që do të mbërrijnë më 14 gusht 2008 dhe do të udhëtojnë në drejtim të portit të Durrësit, për t’u bashkuar me pjesën tjetër të trupave dhe autokolonat, pika e hyrjes të jetë pika e kalimit kufitar në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit “Nënë Tereza” dhe pika e daljes të jetë pika e kalimit kufitar Qafë-thanë.
- Procedurat për hyrjen, qëndrimin dhe daljen e këtyre trupave në/nga Republika e Shqipërisë janë parashikuar në “Marrëveshjen, ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave”, nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951 dhe në “Marrëveshjen, ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe shteteve të tjera, që marrin pjesë në Partneritetin për Paqe, përsa i përket statusit të forcave të tyre”, nënshkruar në Bruksel, më 10 janar 1994, si dhe në protokollin shtesë të “Marrëveshjes, ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe të shteteve të tjera, pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe, përsa i përket statusit të forcave të tyre”, ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me ligjin nr.8034, datë 22.11.1995.
- Autokolonat ushtarake sllovene dhe trupat ushtarake, gjatë itinerarit të lëvizjes, do të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
- Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA