E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR LICENCIMIN E KOLEGJEVE PROFESIONALE, PRIVATE, “MEDICOM”

V E N D I M 

PËR 

LICENCIMIN E KOLEGJEVE PROFESIONALE, PRIVATE, “MEDICOM”

 

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 7, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Licencimin e kolegjeve profesionale, private, “Medicom”, që do të ushtrojnë veprimtarinë në qytetin e Tiranës, të Fierit, Elbasanit, Korçës dhe Shkodrës.

2. Secili kolegj profesional, privat, “Medicom”, do t’i ofrojë programet e studimit, të ciklit të parë, në “Infermieri e përgjithshme” dhe “Teknikë laboratori”, në formën  e studimit me kohë të plotë, të cilat do të zgjasin 3 (tri) vite akademike. Në mbarim të studimeve lëshohet diplomë e nivelit të parë (DNP), përkatësisht në:

a) “Infermieri e përgjithshme”;

b) “Teknikë laboratori”.

3.  Ngarkohen kolegjet profesionale, private, “Medicom”, që, për programet e studimit, të sigurojnë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, pas vitit të parë, nga një personel akademik i huaj, me kualifikimin e nevojshëm.

4. Kolegjet profesionale, private, “Medicom”, ta fillojnë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, pasi të kenë marrë, jo më vonë se tri javë para fillimit të vitit akademik, lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni privat i arsimit të lartë ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij, për këtë qëllim.

5. Ndryshimet në vendndodhje, plane, forma studimi dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

6. Kolegjet profesionale, private, “Medicom”, duhet t’i nënshtrohen procesit të akreditimit institucional dhe të programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.

7. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

 

SALI  BERISHA

 


22/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›