V E N D I M PËR MIRATIMIN E LLOJEVE TË ARMËVE DHE TË MËNYRËS SË PËRDORIMIT TË TYRE NGA POLICIA E BURGJEVE
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LLOJEVE TË ARMËVE DHE TË MËNYRËS SË PËRDORIMIT TË TYRE NGA POLICIA E BURGJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 5, të ligjit nr.10 032, datë 11.12.2008, “Për Policinë e Burgjeve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e llojeve të armëve në përdorim të Policisë së Burgjeve, të cilat klasifikohen sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Punonjësit e Policisë së Burgjeve pajisen me armatim personal (brezi). Plotësimi organik me armatim tjetër bëhet në përputhje me funksionet e strukturave të Policisë së Burgjeve. Normat e plotësimit me armatim e municion miratohen me urdhër të veçantë të ministrit të Drejtësisë.
3. Përdorimi i armëve nga punonjësit e Policisë së Burgjeve bëhet në përputhje me ligjin nr.8290, datë 24.2.1998, “Për përdorimin e armëve të zjarrit”.
4. Strukturat e Policisë së Burgjeve, që autorizohen të përdorin armët e parashikuara në aneksin nr.1, të këtij vendimi, janë strukturat, që kryejnë:
a. sigurimin e ruajtjes perimetrike në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe objektet e tjera, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.
b. sigurimin e ruajtjes perimetrike, brenda apo jashtë institucioneve të përmendura në shkronjën “a”, të këtij vendimi, në raste të jashtëzakonshme, të fatkeqësive e të fenomeneve natyrore, me synim sigurimin e jetës e të shëndetit të personave të paraburgosur apo të burgosur.
c. transferimin dhe shoqërimin e të burgosurve e të të paraburgosurve, për sigurimin e ruajtjes fizike, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale penale, gjatë transferimeve, lëvizjeve jashtë institucionit dhe në rastet kur ata kanë leje për lëvizje jashtë institucionit.
ç) sigurimin e ruajtjes të së paraburgosurve e të burgosurve në spitale ose qendra të tjera mjekësore.
5. Punonjësit e Policisë së Burgjeve, që veprojnë në regjimin e brendshëm, në kontakt me të paraburgosurit apo të burgosurit, bëjnë dorëzimin e armatimit përpara futjes në regjim.
6. Punonjësit e strukturave të Policisë së Burgjeve, që kryejnë detyrat e parashikuara në pikën 4, të këtij vendimi, i përdorin armët në përputhje me funksionet e tyre, veçanërisht në këto raste:
a. Kur personat e dënuar, të arrestuar a të ndaluar përpiqen të largohen nga vendet e kryerjes së dënimit, dhomat e paraburgimit ose vendet ku mbahen, për t’u shoqëruar më pas në institucione të tjera.
b. Kur persona të ndryshëm përpiqen të lirojnë, me dhunë ose me armë, të dënuarit a të paraburgosurit nga vendet e kryerjes së dënimit, dhomat e paraburgimit, vendet ku mbahen, për t’u shoqëruar më pas në institucione të tjera.
c. Kur punonjësit e Policisë së Burgjeve ose persona të tretë sulmohen me armë a mjete të tjera të rrezikshme për jetën dhe sulmi nuk mund të zmbrapset me mjete të tjera.
ç) Në raste të tjera kur vlerësohet se paraqesin rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin e të burgosurve, të të paraburgosurve, punonjësve të Policisë së Burgjeve apo të personave të tjerë.
7. Strukturat e Policisë së Burgjeve do të përdorin armët, që kanë në dispozicion, deri në çastin e miratimit nga ministri i Drejtësisë të normave të plotësimit me armatim e municion.
8. Mjetet dhe pajisjet e tjera, në përdorim të Policisë së Burgjeve, miratohen me urdhër të veçantë të ministrit të Drejtësisë.
9. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
06/05/2009