E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR SHPALLJEN E ZONËS EKONOMIKE NË LEZHË DHE PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES, PËR DHËNIEN E STATUSIT TË ZHVILLUESIT TË KËSAJ ZONE

V E N D I M 

PËR 

SHPALLJEN E ZONËS EKONOMIKE NË LEZHË DHE PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES, PËR DHËNIEN E STATUSIT TË ZHVILLUESIT TË KËSAJ ZONE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.9789,  datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, dhe të neneve 4, pika 1, shkronja “g”, e 5, pikat 1 e 3, të ligjit nr.9663,  datë 18.12.2006, “Për koncensionet”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1.     Shpalljen e zonës ekonomike, me statusin “Park industrial”, të territorit, pjesë e zonës kadastrale nr.2660, në Lezhë, në përbërje të së cilës janë parcelat me numër pasurie, sipas dokumentacionit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.     Sipërfaqja 54.3 (pesëdhjetë e katër presje tre) ha, shtrirja dhe kufizimet e saj specifikohen në hartën treguese, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3.     Llojet e veprimtarisë, që do të zhvillohen në këtë zonë janë:

a.     Veprimtari prodhuese, industriale, dhe agropërpunim;

b.     Veprimtari tregtare, import-eksport;

c.     Shërbime.

4.     Periudha e funksionimit të zonës është 35 vjet.

5.     Zona ekonomike jepet me koncesion.

6.     Procedura e përzgjedhjes së zhvilluesit të zonës të bëhet në bazë të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar.

7.     Autoriteti kontraktues, për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike të jetë bashkia Lezhë.

8.     Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe bashkia Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA


27/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›