V E N D I M PËR SHPALLJEN “ZONË EKONOMIKE”, ME STATUSIN E ZONËS SË LIRË, NË VLORË
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN “ZONË EKONOMIKE”, ME STATUSIN E ZONËS SË LIRË, NË VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, dhe të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë ekonomike”, me statusin “Zonë e lirë”, të territorit, me sipërfaqe 478.14 (katërqind e shtatëdhjetë e tetë pikë katërmbëdhjetë) ha, pjesë e zonave kadastrale nr.8604 dhe nr.2765, në Vlorë, në përbërje të së cilës janë parcelat me numër pasurie, sipas listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shtrirja dhe kufizimet e kësaj zone përcaktohen në hartën treguese, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Në këtë zonë ekonomike do të zhvillohen veprimtari:
- portuale, industriale dhe përpunimi;
- tregtare e magazinim mallrash;
- shërbime, me përjashtim të veprimtarive, që lidhen me prodhimin e çelikut.
4. Periudha e funksionimit të zonës ekonomike është deri në 35 vjet.
5. Zona jepet me koncesion, të formës “BOT” (Ndërtim, operim dhe transferim).
6. Procedura dhe përzgjedhja e zhvilluesit të zonës bëhen në mbështetje të procedurave të përcaktuara në ligjin nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar.
7. Për sipërfaqen e zonës, që është pronë private, të bëhet shpronësimi dhe/ose kompensimi sipas ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”.
8. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të iniciojnë dhe të ndjekin procedurat për të bërë përjashtimin e sipërfaqes nga fondi pyjor, për sipërfaqen e zonës “Pyll”, në zbatim të legjislacionit në fuqi për fushën pyjore.
9. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Financave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
11/06/2009