E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I 6 PUSEVE TË SHPIMIT, NË KONJAT, LUSHNJË

V E N D I M

 PËR 

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I 6 PUSEVE TË SHPIMIT, NË KONJAT, LUSHNJË

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “ Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave                                  

V E N D O S I:

Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i 6 puseve të shpimit, në Konjat, Lushnjë.

Shpronësimi të bëhet në favor të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, sha, Lushnjë.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës, e cila paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për sipërfaqen 900 (nëntëqind) m2, tokë/arë, me vlerë shpronësimi 501 300 (pesëqind e një mijë e treqind) lekë.

Shpenzimet procedurale, në shumën 102 000 (njëqind e dy mijë) lekë, të përballohen nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, sha, Lushnjë.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 501 300 (pesëqind e një mijë e treqind) lekësh, të përballohet nga llogaria e veçantë “Fondi i shpronësimeve”, e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë.

Shpronësimi të fillojë e të përfundojë  brenda muajit korrik 2008.

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, sha, Lushnjë, të bëjë likuidimin e pronarëve brenda afatit të parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi.

Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Proces regjistrimi”, a “Plotësim dokumentacioni”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të ketë përfunduar procesi i regjistrimit dhe të kenë paraqitur dokumentacionin e pronësisë pranë subjektit kërkues, Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, sha, Lushnjë.

Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, sha, Lushnjë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›