V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I MBIKALIMEVE NË SEGMENTIN RRUGOR, LUSHNJË- FIER
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I MBIKALIMEVE NË SEGMENTIN RRUGOR, LUSHNJË- FIER
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i mbikalimeve, në segmentin rrugor Lushnjë-Fier, dhe të rrugëve paralele.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 1 044 (një mijë e dyzet e katër) m2, tokë truall, me vlerë 8 776 226 (tetë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e njëzet e gjashtë) lekë, dhe sipërfaqen 113 499,7 (njëqind e trembëdhjetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë presje shtatë) m2, tokë/arë, me vlerë 63 977 470 (gjashtëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e katërqind e shtatëdhjetë) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 72 753 696 (shtatëdhjetë e dy milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në shumën 1 680 000 (një milion e gjashtëqind e tetëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 72 753 696 (shtatëdhjetë e dy milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.
6. Shpronësimi të fillojë më 30.1.2009 dhe të përfundojë më 30.4.2009.
7. Pronarët e përcaktuar në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim ZRPP”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, dokumentacionin e plotë të pronësisë.
8. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të bëjë likudimin e pronarëve, sipas listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në përputhje me dokumentacionin e pronësisë, që pronarët do t’i vënë në dispozicion.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
21/01/2009