V E N D I M PËR LICENCIMIN E KOLEGJIT PROFESIONAL PRIVAT, « DENTARIUM-AL »
V E N D I M
PËR
LICENCIMIN E KOLEGJIT PROFESIONAL PRIVAT, « DENTARIUM-AL »
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 7, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, « Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë», të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Licencimin e kolegjit profesional privat, « Dentarium-AL », i cili do ta ushtrojë veprimtarinë në qytetin e Tiranës.
2. Kolegji profesional privat, « Dentarium-AL », do të ofrojë programin e studimit, të ciklit të parë, në « Protezist stomatolog », në formën e studimit me kohë të plotë. Programi i studimit realizohet me 180 kredite dhe kohëzgjatja e tij do të jetë tri vite akademike. Në përfundim të programit të studimit lëshohet diploma e nivelit të parë (DNP), në fushën e arsimimit të kryer.
3. Ngarkohet kolegji profesional privat, « Dentarium-AL », që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, pas vitit të parë, nga një personel akademik i huaj, me kualifikimin e nevojshëm.
4. Kolegji profesional privat, « Dentarium-AL », do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programin e studimit, të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se tri javë para fillimit të veprimtarisë mësimore, lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni privat i arsimit të lartë ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij, për këtë qëllim.
5. Ndryshimet në vendndodhje, plane, forma studimi, programe, si dhe elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
6. Kolegji profesional privat, « Dentarium-AL », duhet t’i nënshtrohet, procesit të akreditimit institucional dhe të programit të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.
7. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në « Fletoren zyrtare ».
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
21/01/2009