E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I RRUGËS PARALELE TIRANË – VORË (KRAHU I MAJTË)

V E N D I M

PëR

shpronësimin, për INTERES PUBLIK, Të PRONARëVE Të PASURIVE Të PALUAJTSHME, PRONë PRIVATE, Që PREKEN NGA NDëRTIMI I RRUGëS PARALELE TIRANë – VORë (KRAHU I MAJTë)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i rrugës paralele Tiranë – Vorë (krahu i majtë).

2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen prej 16 437 (gjashtëmbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e shtatë) m2, tokë arë, me vlerë 6 670 863 (gjashtë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tre) lekë, për sipërfaqen prej 9 279 (nëntë mijë e dyqind e shtatëdhjetë e nëntë) m2, tokë truall, me vlerë 22 334 887 (njëzet e dy milionë e treqind e tridhjetë e katër mijë e tetëqind e tetëdhjetë e shtatë) lekë, objekte me vlerë me një vlerë të totale shpronësimi 49 408 164 (dyzet e nëntë milionë e katërqind e tetë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 78 413 914 (shtatëdhjetë e tetë milionë e katërqind e trembëdhjetë mijë e nëntëqind e katërmbëdhjetë) lekë.

4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 599 000 (pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 78 413 914 (shtatëdhjetë e tetë milionë e katërqind e trembëdhjetë mijë e nëntëqind e katërmbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga “Llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.

6. Shpronësimi të fillojë më 10.5.2010 dhe të përfundojë më 1.8.2010.

7. Pronarët e listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

8. Pronari i pasurisë për të cilën është bërë shënimi “Proces legalizimi”, do të kompensohet, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të pronësisë, pasi të ketë përfunduar legalizimi dhe të jetë bërë më pas regjistrimi përkatës pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, fakt i cili do të vërtetohet nga pronari nëpërmjet dokumentacionit të pronësisë.

9. Pronari i pasurisë për të cilën është bërë shënimi “Leje rrethimi”, do të kompensohet, për efekt shpronësimi, për objektin, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

10. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të kryejë likuidimin e pronarëve të pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP” dhe “Leje rrethimi”, në bazë të dokumentacionit të pronësisë dhe dokumentacionit tekniko – ligjor, sipas pikave 7 e 9, të këtij vendimi. Për pronarin e pasurisë për të cilën është bërë shënimi “Proces legalizimi”, të bëjë likuidimin sipas pikës 8, të këtij vendimi, dhe pasi të ketë marrë një konfirmim zyrtar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë.

11. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


05/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›