E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM PЁR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NЁ VENDIMIN NR.1, DATЁ 10.1.2007, TЁ KЁSHILLIT TЁ MINISTRAVE, “PЁR MIRATIMIN E RREGULLAVE PЁR PROKURIMIN PUBLIK”, TË NDRYSHUAR

V E N D I M


PЁR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NЁ VENDIMIN NR.1, DATЁ 10.1.2007, TЁ KЁSHILLIT TЁ MINISTRAVE, “PЁR MIRATIMIN E RREGULLAVE PЁR PROKURIMIN PUBLIK”, Të NDRYSHUAR

Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs dhe tё neneve 13 e 75 të ligjit nr.9643, datё 20.11.2006, “Pёr prokurimin publik”, tё ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në tekstin “Rregullat për prokurimin publik”, që i bashkëlidhet vendimin nr.1, datё 10.1.2007, tё Kёshillit tё Ministrave, tё ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në kreun I, “Organizimi i prokurimit publik”, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë vijon:

a) Pas shkronjës “e”, të pikës 2, “Prokurimi i përqëndruar dhe organi qendror blerës”, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:

“ë) Pika 2 nuk zbatohet në rastin e prokurimit të kontratave sektoriale kur autoritetet kontraktore janë ente private.”.

b) Në pikën 3, “Buletini i Njoftimeve Publike”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
i) Në paragrafin e parë të shkronjës “a”, pas fjalës “…boton…” shtohet fjala “ …elektronikisht…”;

ii) Në paragrafin e tretë, të shkonjës “b”, pas fjalëve “…boton atë …” shtohet fjala “...elektronikisht…”;

iii) Shkronja “c”, “Botimi i njoftimeve të kontratës” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) Botimi i njoftimeve të kontratës

Autoriteti kontraktor dërgon në APP për botim në Buletinin elektronik të Njoftimeve Publike dhe publikim në faqen e internetit të APP-së çdo njoftim për procedurën e hapur, të kufizuar, me negociim me shpallje paraprake të njoftimit, kërkesë për propozim, konkurs projektimi, si dhe shërbime konsulence për kufirin e ulët monetar. Njoftimi dërgohet në formë elektronike (CD/flopi disk/e-mail).
Në procedurat e prokurimit, që zhvillohen me mjete elektronike, hedhja e njoftimit tëkontratës në sistem bëhet nga vetë autoritetet kontraktore. Shpallja e njoftimit në faqen e internetit të APP -së do të bëhet publike ditën e nesërme të punës nga dita e hedhjes së njoftimit në sistem.
Një përmbledhje e njoftimit të kontratës për kufirin e lartë monetar do të botohet edhe në të paktën një gazetë ndërkombëtare, me shpërndarje të gjerë në Europë.”.

iv) Paragrafi i parë, i shkronjës “ç”, “Botimi i njoftimit të fituesit dhe njoftimi i kontratës së lidhur”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Autoriteti kontraktor dërgon për botim në Buletinin elektronik të Njoftimeve Publike dhe për publikim në faqen e internetit të APP-së njoftimet e fituesit, në përputhje me nenin 58, të LPP-së, si dhe njoftimin e kontratave të lidhura, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pas nënshkrimit të kontratës. Në procedurat e prokurimit që zhvillohen me mjete elektronike, hedhja në sistem e njoftimit të fituesit dhe njoftimi i kontratës së lidhur bëhen nga vetë autoritetet kontraktore. Shpallja e njoftimit të kontratës së lidhur. në faqen e internetit të APP –së. do të bëhet publike ditën e nesërme të punës, nga dita e hedhjes së njoftimit në sistem. Shpallja e njoftimit të fituesit, në faqen e internetit të APP –së, do të bëhet publike pas 7 (shtatë) ditësh, nga dita e hedhjes së njoftimit në sistem. Kur ky afat përkon me ditë pushimi, njoftimi bëhet publik ditën pasardhëse të punës.”.

v) Në shkronjën “d”, “Raporti i realizimeve të prokurimit publik fjalët “.... veprimtarive të prokurimit …” zëvendësohen me “...prokurimeve të realizuara…”.

2. Në kreun II, “Rregulla të përgjithshme të prokurimit”, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë vijon:

a) Në fund të shkronjës “a”, të pikës 1, “Kufijtë monetarë”, shtohet paragrafi me ktë përmbajtje:

“Të njejtët kufij monetarë zbatohen edhe për kontratat sektorale.”.

b) Në paragrafin e dytë, pas fjalëve “...Për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare...” shtohen fjalët “...dhe përfaqësitë tona diplomatike...”.

c) Në fund të shkronjës “b”, të pikës 2, shtohet ky paragraf:

“Në llogaritjen e vlerës së fondit limit, kur do të lidhet marrëveshje kuadër, do të përfshihet vlera e të gjitha kontratave që mund të lidhen brenda afatit të kësaj marrëveshjeje.”.

3. Në kreun III, “Dokumentet e tenderit”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në paragrafin e parë, të shkronjës “a”, të pikës 1, “Dokumentet standarde të tenderit”, fjalia e parafundit ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Gjatë përgatitjes së dokumenteve të tenderit, autoriteti kontraktor duhet të përdorë dokumentat standarde.”.

b) Në shkronjën “b”, pas nënparagrafit të dymbëdhjetë shtohen këta dy nënparagrafë:
“- Kushtet e marrëveshjes kuadër;
- Formulari për deklarimin e konfliktit të interesit.”.

b) Në pikën 2, “Informacion i Përgjithshëm”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

i) Në fjalinë e parafundit të shkronjës “a”, “Njoftim i kontratës”, dhe në fjalinë e fundit të shkonjës “b”, “Ftesa për ofertë”, pas fjalëve “... kriteret e shpalljes së fituesit; ...” shtohen fjalët “... kushtet e marrëveshjes kuadër;...”.

ii) Shkronja “ç”, “Formulari i ofertës”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) Ky formular përmban vlerën e ofertës.
Formularit të ofertës i bashkëlidhet një listë e hollësishme çmimesh, që përbëjnë çmimin e plotë.”.

iii) Paragrafi i dytë, i shkronjës “e”, “Formulari i sigurimit të ofertës”, riformulohet, si më poshtë vijon:
“Ofertuesit ose kandidatët e kualifikuar duhet të paraqesin sigurimin e ofertës, në vlerën 2% të vlerës limit, të përcaktuar në dokumentet e tenderit. Në dokumentet e tenderit duhet të parashikohet një periudhë vlefshmërie, bazuar në kohëzgjatjen e mundshme të procedurës. Sigurimi i ofertës duhet të jetë i vlefshëm gjatë gjithë kësaj periudhe.
Tërheqja e ofertave nga ofertuesit e klasifikuar i dyti e me radhë, pas klasifikimit nuk ndikon në vazhdimin e metejshëm të procedurës së prokurimit nga autoriteti kontraktor.”.

iv) Në fund të shkronjës “e” shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

“Ky formular nuk është i detyrueshëm të përdoret nga autoritetet kontraktore, në rastin e prokurimit të kontratave sektoriale.”.

v) Paragrafi i dytë i shkronjës “ë”, “Formulari i sigurimit të kontratës”, shfuqizohet dhe në fund të kësaj shkronje shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

“Ky formular nuk përdoret nga autoritetet kontraktore, në rastin e prokurimit të kontratave sektoriale.”.

vi) Fjalia e dytë, e shkronjës “f”, “Formulari i njoftimit të fituesit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Ky njoftim i dërgohet edhe APP-së për t’u botuar në Buletinin elektronik të Njoftimeve Publike dhe publikim në faqen e internetit të APP-, në përputhje me nenin 58, të LPP-së.”;

- në fund shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

“Njoftimi i fituesit nga marrëveshja kuadër duhet të përmbajë: referencën e procedurës, emrin dhe adresën e saktë të ofertuesit/ofertuesve të shpallur fitues; përshkrimin e punëve /mallrave /shërbimeve, që do të blihen; kohëzgjatjen e marrëveshjes kuadër.”.
vii) Në shkronjën “g”, të paragrafit të parë, pas fjalëve “... për të mundësuar ...” shtohen fjalët “ ... shpalljen në formë elektronike në faqen e internetit të APP-së...” dhe në fund shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

“Autoriteti kontraktor nuk duhet të publikojë apo të dërgojë për publikim kontratën fituese për një kontratë të lidhur nga një marrëveshje kuadër.”.

viii) Pas shkronjes “h” shtohen shkronjat “i” dhe “j”, me këtë përmbajtje:

“i) Marrëveshja kuadër
Marrëveshja kuadër përmban: formën e marrëveshjes, listën e mallrave/shërbimeve, termat dhe kushtet e blerjes së mallrave/shërbimeve, afatin e lëvrimit, çmimin.
j) Formulari i deklarimit të konfliktit të interesit
Ky formular garanton autoritetin kontraktor se ofertuesit/kandidatët nuk ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit. Ai përmban të dhënat personale të ofertuesit/kandidatit dhe të personave që konsiderohen si persona në konflikt interesi, sipas ligjit.”.

c) Paragrafi i fundit i nënndarjes “i”, të shkronjës “c”, “Kontratat e shërbimeve”, të pikës 3, “Informacione të veçanta”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kërkesat e mësipërme duhet të jenë në përpjesëtim dhe të lidhura ngushtë me objektin e kontratës. Ato i shërbejnë autoritetit kontraktor për njohjen e gjendjes financiare të operatorëve ekonomikë dhe të mundësisë së tyre për përmbushjen me sukses të kontratës. Nuk lejohet përcaktimi kufijve monetarë skualifikues, të cilët tejkalojnë vlerën limit të kontratës që prokurohet. Si rrjedhim, një operator me bilanc ekonomik negativ, për një periudhë trivjeçare, mund të shërbejë si tregues për paaftësinë e këtij operatori ekonomik për përmbushjen e kontratës.”.

4. Në fund të kreut IV, “Llojet dhe përzgjedhja e procedurave”, shtohet kreu IV/a dhe IV/b, me këtë përmbajtje:
“KREU IV/A
PROKURIMI I KONTRATAVE SEKTORIALE

1. Autoritetet kontraktore që kryejnë procedura për kontratat sektoriale

a) Autoritetet kontraktore që kryejnë veprimtari në sektorët e shërbimit ujor, energjitik, transportit dhe të atij postar do të zbatojnë dispozitat e këtij kreu dhe të rregullave të përgjithshme për prokurimin publik, pavarësisht nëse ato operojnë në bazë të një të drejte ekskluzive apo të veçantë.
b) Këtyre rregullave mund t’u nënshtrohen edhe entet private. Në këtë rast, enti privat duhet, detyrimisht, të kryejë veprimtari në sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit dhe të atij postar mbi bazën e një të drejte të veçantë ose ekskluzive të lëshuar nga një autoritet kompetent i Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet çdo klauzole legjislative, rregullatore apo administrative.
E drejtë e veçantë ose ekskluzive do të thotë një e drejtë që e kufizon të drejtën për kryerjen e veprimtarisë në fjalë, duke ia u dhënë atë vetëm një a më shumë shoqërive tregtare. Kjo e drejtë duhet ta vendosë entin në një pozicion monopoli ose oligopoli, në mënyrë që të mund t’ua kalojë kostot klientëve, meqenëse ata nuk do të kenë alternativë tjetër. Përveç kësaj, e drejta ekskluzive ose e veçantë duhet, gjithashtu të ketë një ndikim të madh tek sipërmarrjet e tjera që duan të kryejnë të njëjtën veprimtari dhe ta bëjë të vështirë, si nga ana ligjore ashtu dhe nga ana praktike, hyrjen e shoqërive tregtare të tjera në të njëjtin sektor, në të njëjtën zonë gjeografike.
Nëse një e drejtë e veçantë ose specifike mund të merret nga të gjitha entet që e kërkojnë atë, këto shoqëri tregtare nuk u nënshtrohen këtyre rregullave, pasi ato operojnë në një treg konkurrues.
c) Entet private, që kryejnë veprimtari në sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit dhe atij postar, pas fitimit të një kontrate prokurimi, nuk u nënshtrohen këtyre rregullave, edhe në rastet kur ato përfundojnë në një pozicion monopolistik ose oligopolistik.

2. Kontratat sektorale

a) “Kontratat sektorale” janë kontrata publike, të lidhura nga autoritetet kontraktore për qëllime të kryerjes së secilës prej veprimtarive të mbuluara nga sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit dhe atij postar. Veprimtaritë e mbuluara nga rregullat për prokurimin e kontratave sektoriale janë vetëm ato veprimtari që janë përcaktuar shprehimisht në LPP dhe që i ofrojnë një shërbim publikut.

b) Autoritetet kontraktore që prokurojnë mallrat, shërbimet dhe punët për kontrata sektoriale zbatojnë këto rregulla. Këto rregulla do të zbatohen edhe për rastet kur një autoritet kontraktor organizon një konkurs projektimi për të operuar në këta sektorë. Si rregull, autoriteti kontraktor do të zbatojë rregullat për prokurimin e kontratave sektoriale për të gjitha blerjet, për sa kohë që objekti që do të prokurohet do të përdoret vetëm për veprimtaritë e kontratave sektoriale. Autoriteti kontraktor nuk mund të përdorë rregullat e këtij kreu për të prokuruar mallra, shërbime ose punë të cilat nuk janë planifikuar për t’u përdorur në sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit dhe të atij postar.

3. Sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit dhe atij postar

3.1. Sektori i shërbimit energjetik

Sektori i shërbimit energjetik mbulon ofrimin ose përdorimin e rrjeteve fikse që kanë për qëllim t’i ofrojnë publikut shërbime në lidhje me prodhimin, transportin ose shpërndarjen e energjisë elektrike, të gazit apo të nxehtësisë, ose furnizimin me energji elektrike, gaz apo nxehtësi ndaj këtyre rrjeteve. Përbën përjashtim dhënia e kontratave sektoriale për furnizimin me energji elektrike, nxehtësi ose karburante për përdorim për prodhimin e energjisë. Kontrata të tilla nuk ka nevojë të prokurohen. Entet private mbulohen nga rregullat vetëm nëse ato operojnë në sektorin e energjisë pas dhënies së një të drejte të veçantë ose ekskluzive.

3.2. Shfrytëzimi i naftës, gazit ose qymyrit

Veprimtaritë që përfshijnë shfrytëzimin e një zone gjeografike për qëllime eksplorimi, me mundësinë për të nxjerrë naftë, gaz, qymyr apo karburante të tjera të ngurta, u nënshtrohen rregullave për kontratat sektoriale. Nëse entet private operojnë në atë zonë, ato përfshihen vetëm nëse atyre u është dhënë një e drejtë e veçantë ose ekskluzive.

3.3. Portet dhe aeroportet

Veprimtaritë që përfshijnë shfrytëzimin e zonave gjeografike me qëllim ofrimin e aeroporteve dhe të porteve detare ose tokësore, ose të strukturave të tjera të terminaleve për transportuesit ajrorë, detarë apo të ujërave tokësore, u nënshtrohen rregullave të sektorëve të shërbimeve publike.

Nëse entet private janë pronarë dhe operojnë në këtë zonë, ato përfshihen vetëm nëse u është dhënë një e drejtë e veçantë ose eksluzive.

3.4. Uji i pijshëm

Veprimtaritë ujore u përkasin sektorëve të shërbimeve publike, nëse ato kanë të bëjnë me ofrimin ose përdorimin e rrjeteve publike fikse të prodhimit, të transportit a të shpërndarjes së ujit të pijshëm apo furnizimin me ujë të pijshëm ndaj rrjeteve. Kontratat e akorduara për punime inxhinierike hidraulike, vaditje dhe drenazhim u nënshtrohen gjithashtu rregullave të kontratave sektoriale, nëse volumi i ujit të përdorur për furnizim me ujë të pijshëm është më tepër se 20% e volumit të përgjithshëm të ujit. Ndjekja e veprimtarive për largimin ose trajtimin e ujërave të zeza konsiderohet, gjithashtu, pjesë e sektorit ujor, nëse veprimtaria kryhet nga një autoritet kontraktor, i cili operon gjithashtu në sektorin e ujit të pijshëm. Kontratat për furnizimin me ujë të pijshëm janë të përjashtuara dhe mund të prokurohen pa konkurrim.

3.5. Transporti publik – transporti me autobus

Ofrimi dhe operimi i rrjeteve të synuara për ofrimin e një shërbimi ndaj publikut në fushën e transportit me hekurudhë, sistemeve automatike, tramvajeve, autobusëve elektrikë, shërbimeve me autobus ose teleferik u nënshtrohen rregullave të shërbimeve publike. Një rrjet konsiderohet se ekziston atëherë kur shërbimi ofrohet sipas të njëjtave kushte të vendosura nga një autoritet kompetent.

Kushtet përfshijnë itineraret që do të shërbehen, kapacitetet që do të bëhen të disponueshme ose shpeshtësinë e shërbimit.

Sektori i transportit publik nuk mbulon transportimin e mallrave, meqenëse këto transporte nuk u nënshtrohen kushteve të funksionimit të parashtruara nga një autoritet kompetent. Autoriteti kontraktor që operon në transportin e mallrave, mbulohet në të kundërt nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik. Enteve private që operojnë në transportin e mallrave nuk u duhet të ndjekin ndonjë prej rregullave të prokurimit publik.

Këto rregulla nuk janë të zbatueshme nëse shërbime të rregullta transporti mund të ofrohen prej agjencive të tjera të transportit në të njëjtën zonë gjeografike dhe në të njëjtat kushte. Sektori i transportit nuk përfshin edhe transportin publik që nuk është i mbuluar nga disa kushte funksionimi të caktuara, si transporti me autobusë privatë nga njëri qytet në tjetrin apo transportet private ndërkombëtare me autobus.

3.6. Shërbimet postare

“Shërbime postare” quhen ato shërbime që kanë të bëjnë me zhdoganimin, klasifikimin, përcaktimin e itinerareve dhe dorëzimin e artikujve postarë. Kur Autoriteti kontraktor ofron shërbime postare, edhe shërbime të tjera që kanë lidhje me to janë të mbuluara nga rregullat për prokurimin e kontratave sektoriale. Nëse një enti privat i nevojitet një e drejtë e veçantë ose ekzluzive për të operuar një shërbim postar, ai është gjithashtu i mbuluar nga këto rregulla.

4. Prokurimi që përfshin disa veprimtari të ndryshme

Një autoritet kontraktor mund t’i nënshtrohet si rregullave të përgjithshme të prokurimit publik, ashtu edhe rregullave të prokurimit të kontratave sektoriale të këtij kreu. Kjo do të thotë që një autoritet kontraktor, në disa raste, duhet t’u përmbahet klauzolave të rregullave të përgjithshme dhe më pas të zbatojë klauzolat e këtij kreu, kur prokuron për një lloj tjetër veprimtarie. Në këto raste do të përdoren rregullat për veprimtarinë kryesore, për të cilën kontrata është e paracaktuar.

Në disa raste, autoriteti kontraktor operon në sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit e atij postar dhe kryen veprimtari që nuk mbulohen aspak nga rregullat e prokurimit te kontratave sektoriale.


5. Kontratat e lidhura për qëllime të rishitjes apo dhënies me qira palëve të treta

Kontratat sektoriale të lidhura nga autoriteti kontraktor për qëllime të rishitjes apo dhënies me qira palëve të treta nuk mbulohen nga rregullat, nëse nuk ekziston një e drejtë e veçantë ose ekskluzive në lidhje me objektin e kontratës.

Kushti për përjashtim është që autoriteti kontraktor në asnjë mënyrë nuk i përpunon produktet, por vetëm i blen dhe i shet ato pa pasur ndonjë të drejtë ekskluzive.

6. Sipërmarrjet e lidhura

a) Sipërmarrjet e lidhura përfshijnë mallrat, shërbimet dhe punimet. Përjashtimi ka të bëjë në faktin që blerjet nga të ashtuquajturat sipërmarrje të lidhura (në parim, shoqëria tregtare nënë, motër dhe nëndegë të shoqërisë tregtare) apo brenda një bashkimi operatorësh, nuk ka nevojë të prokurohen sipas rregullave të ketij kreu. Vetëm autoriteti kontraktor që kryen veprimtari në sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit dhe atij postar mund ta përdorë përjashtimin.

b) Sipërmarrjet e lidhura janë subjekt i xhiros mesatare të shitjeve të punimeve, furnizimeve ose kontratave të shërbimit të shoqërisë tregtare gjatë tri viteve të mëparshme. Të paktën 80 për qind e xhiros duhet të vijë nga furnizimi i të njëjtave mallra, shërbime ose punime që do të prokurohen, shoqërive tregtare me të cilat ajo është e lidhur. Autoriteti tjetër kontraktor mund të shesë deri në 20 për qind të produkteve, shërbimeve dhe punimeve në fjalë në tregun e hapur. Kufizimi është hartuar për t’ua parandaluar shoqërive tregtare konkurrimin me shoqëri tregtare të tjera dhe për të shijuar përfitimet e të operuarit vetëm e pa konkurrencë për furnizimin e bizneseve me pozicion monopolistik ose oligopolistik. Nëse më tepër se një shoqëri tregtare e lidhur me autoritetin kontraktor ofron mallra, punime ose shërbime të njëjta ose të ngjashme, është e domosdoshme të llogaritet duke iu referuar xhiros totale të të gjithave shoqërive tregtare të lidhura. Nëse xhiroja e krijuar nga shoqërite tregtare të jashtme i kalon 20%, përjashtimi nuk është i zbatueshëm.

c) Shoqëritë tregtare të reja nuk kanë xhiro të tri viteve të fundit për ta paraqitur. Këto shoqëri tregtare në vend të kësaj mund të përmbushin kërkesat që, të paktën, 80 për qind të shitjeve t’i kenë bërë tek shoqëritë tregtare të lidhura. Kjo do ta bënte më të lehtë përdorimin e këtij përjashtimi për grupet e reja të biznesit, si edhe për degët e sapoformuara.

ç) Në mënyrë që të lehtësojnë bashkëpunimin në projektet madhore, autoritetet kontraktore që operojnë në sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit dhe atij postar mund të formojnë të ashtu-quajturat bashkime operatorësh. Bashkimet e operatorëve mund të blejnë mallra, shërbime ose punime prej njërit prej autoriteteve kontraktore që janë partnerë, pa e shpallur kontratën për konkurrim. Kushti është që autoritetet kontraktore të kenë formuar bashkimin e operatorëve ekskluzivisht për të kryer një veprimtari në sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit dhe atij postar.

7. Sistemet e kualifikimit

a) Autoritetet kontraktore në sektorët e shërbimit ujor, energjetik, transportit dhe atij postar mund të krijojnë dhe të zbatojnë një skemë të veçantë për parakualifikimin e furnitorëve, një sistem kualifikimi. Qëllimi i një sistemi kualifikimi është të kursejë kohë kur një autoritet kontraktor blen rregullisht disa mallra, shërbime dhe punime të caktuara.

Sistemi zëvendëson fazën e parë të një procedure me përzgjedhje ose të negociuar dhe duhet të përmbajë kritere përzgjedhjeje që zakonisht u vihen furnitorëve në fazën e parë të prokurimit. Kriteret e përzgjedhjes duhet t’u bëhen të disponueshme të gjithë furnitorëve të interesuar.

b) Të gjithë operatorët ekonomikë, që kërkojnë të përfaqësohen dhe që përmbushin kriteret e përzgjedhjes, do të përfshihen në sistem. Aplikimet do t’i dorëzohen autoritetit kontraktor, i cili duhet ta shqyrtojë aplikimin brenda gjashtë muajve.

Një operator ekonomik, të cilit i janë refuzuar aplikimet, do të njoftohet për arsyet brenda 15 ditësh nga marrja e vendimit.

Një operator ekonomik që është pranuar në sistem mundet të përjashtohet vetëm për arsye të shprehura në rregullat e sistemit.

c) Atëhere kur duhet të prokurohen mallra ose shërbime, autoriteti kontraktor mund t’i drejtohet drejtpërsëdrejti operatorit ekonomik në listë, pa pasur nevojë të shpallë blerje me konkurrim.

Autoriteti kontraktor nuk i duhet të pyesë të gjithë operatorët ekonomikë të përfshirë në listë, por duhet që gjithmonë të pyesë ato operatorë ekonomikë që kanë aftësinë për të përmbushur kontratën specifike.

8. Procedura me negociim pa shpallje të njoftimit të kontratës

Një autoritet kontraktor mund të akordojë kontrata sektoriale nëpërmjet një procedure me negociim pa shpallje të njoftimit të kontratës në rastet kur:

- nuk është dorëzuar asnjë ofertë ose nuk ka asnjë ofertë apo aplikim të përshtatshëm në përgjigje të procedurës së hapur, të kufizuar ose të negociuar me shpallje paraprake të njoftimit, me kusht që të mos ketë ndryshime thelbësore të kushteve fillestare të kontratës.

Nëse nuk dorëzohen oferta si rezultat i gabimeve në dokumentet standarde të tenderit dhe/ose si rezultat i një veprimi të autoritetit kontraktor, dhe/ose nëse është e nevojshme të bëhen ndryshime thelbësore në kushtet e kontratës, atëherë duhet të organizohet një procedurë e re e hapur ose e kufizuar. Autoriteti kontraktor duhet të ndërmarrë masat e nevojshme në mënyrë që të korrigjojë veprimet që kanë shkaktuar dështimin e procedurës.

- për arsye teknike ose artistike ose për arsye që kanë lidhje me të drejtat ekskluzive të pronësisë intelektuale, kontrata mund të ekzekutohet vetëm nga një operator ekonomik i veçantë.

Ky kusht përmbushet vetëm në rastin e prokurimeve për të cilat nuk ka konkurrim në treg dhe kur ky i fundit certifikohet nga autoriteti kompetent. Për sa i përket arsyeve teknike, duhet të jetë vetë rezultati, që vetëm një operator është në gjendje të ofrojë, e jo procesi.
Përjashtimi është i zbatueshëm këtu vetëm në rast se ekziston një e drejtë ekskluzive për shkak të një patente apo diçkaje të ngjashme.

Situata është e njëjtë edhe në rastin e përjashtimit për arsye artistike. Nëse disa artistë mund ta kryejnë kontratën, për këtë duhet organizuar një konkurrim.

- për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme nga autoriteti kontraktor, afati kohor i parashikuar në nenin 43, të ligjit, për njoftimin e kontratës për procedurat e hapura, të kufizuara ose me negociim, me publikim, nuk mund të respektohet. Rrethanat e përmendura për të justifikuar nevojën ekstreme nuk duhet të shkaktohen në asnjë rast nga veprimi ose mosveprimi i autoritetit kontraktor.

Për të argumentuar përdorimin e një procedure të negociuar pa publikim për shkak të një emergjence ekstreme, duhen përmbushur katër kushtet e mëposhtme:

• duhet të ekzistojë një ngjarje objektivisht e paparashikueshme, jo vetëm e paparashikueshme prej autoritetit kontraktor;

• ngjarja nuk duhet t’i atribuohet autoritetit kontraktor;

• ngjarja mund të dëmtojë interesat e përgjithshme të komunitetit në gjerësi;

• duhet të jetë e pamundur të ndiqet proçedura standarde (e hapur, e kufizuar ose e negociuar me shpallje të njoftimit).

Autoriteti kontraktor duhet të provojë, justifikojë dhe dokumentojë se nevoja ekstreme ose situata emergjente nuk janë pasojë e veprimit apo mosveprimit të tij. Neglizhenca ose vonesat, në fillimin e procedurave normale të prokurimit, nuk do të merren parasysh si shkaqe që mund të justifikojnë zbatimin e kësaj procedure. Kjo procedurë nuk do të adoptohet për të përligjur përfundimin e kontratave afatgjata, por vetëm për të përballuar situatën emergjente. Në rast emergjence, autoriteti kontraktor do të marrë njëkohësisht të gjitha masat për kryerjen e procedurave normale të prokurimit.

- një kontratë shpallet fituese, bazuar në marrëveshjen kuadër, me kusht që të respektohen kërkesat e nenit 58/9, të ligjit.

Një autoritet kontraktor duhet të përdorë procedurën e hapur, të kufizuar ose me negociim me shpallje të njoftimit të kontratës kur prokuron një marrëveshje kuadër në sektorët e shërbimit publik. Nëse marrëveshja kuadër është prokuruar në bazë të rregullave të ligjit, autoritetit kontraktor nuk i duhet të publikojë njoftim të kontratës për kontratat e përgatitura sipas kësaj marrëveshjeje kuadër.

- kemi të bëjmë me furnizime shtesë nga furnitori fillestar, të konsideruara qoftë si zëvendësim i pjesshëm i furnizimeve normale apo i instalimeve ekzistuese ose si zgjerim i furnizimeve aktuale, ku një ndryshim i furnitorit do të detyronte autoritetin kontraktor të blinte materiale që do të kishin specifikime të ndryshme teknike, të cilat do të rezultonin në mospërputhshmëri ose në vështirësi të mëdha teknike gjatë shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes. Në këtë rast, kontrata shtesë do të nënshkruhet brenda një kufiri kohor prej 3 (tre) muajsh, nga përfundimi i kontratës fillestare, dhe nuk duhet të kalojë 20% të vlerës së përgjithshme të kontratës fillestare

Ky përjashtim nuk mund të përdoret si justifikim për mosshpalljen e kontratës për konkurrim. Autoriteti kontraktor duhet të provojë, arsyetojë dhe dokumentojë se një ndryshim i furnitorit do të rezultonte në mospërputhshmëri ose në vështirësi të mëdha teknike. Neglizhenca ose vonesat në fillimin e procedurave normale të prokurimit nuk do të vlerësohen si shkaqe që justifikojnë zbatimin e kësaj procedure.

- kemi të bëjmë me furnizime të kuotuara dhe të blera në tregun e mallrave të përdorimit të gjerë.

Ky përjashtim bëhet sepse, operatori ekonomik e ka dhënë tashmë çmimin më të mirë. Për këtë arsye nuk është i nevojshëm një tjetër konkurrim.

- kemi të bëjmë me blerje me leverdi, ku është e mundur të prokurohen furnizime duke shfrytëzuar një mundësi veçanërisht të mirë, të disponueshme vetëm për një periudhë të shkurtër kohe, me një çmim shumë më të ulët se çmimet normale të tregut.

çmimet e disponueshme duhet të jenë shumë më të ulëta sesa është normalisht e mundur të negociohet me një operator ekonomik normal.

- kemi të bëjmë me blerje të furnizimeve me kushte veçanërisht favorizuese, qoftë nga një furnitor që mbyll përfundimisht veprimtaritë e biznesit të tij, qoftë nga përfituesit apo likuiduesit e një falimentimi, nga një marrëveshje me kreditorët ose nga një procedurë e ngjashme, në përputhje me ligjet dhe rregullat kombëtare në fuqi.

- kemi të bëjmë me punime apo shërbime shtesë, të cila nuk kanë qenë të përfshira në kontratën fillestare, por që, për shkak te rrethanave të paparashikuara, bëhen të domosdoshme për ecurinë e punimeve apo shërbimeve të përshkruara në kontratë, me kusht që kontrata t’i akordohet operatorit ekonomik që është duke i kryer këto punime apo shërbime; për sa kohë që vlera totale e kontratave të akorduara për punimet dhe shërbimet shtesë nuk e kalon 20% të vlerës së përgjithshme të kontratës fillestare, kur këto punime ose shërbime:
i) nuk mund të ndahen teknikisht apo ekonomikisht nga kontrata fillestare, pa shkaktuar probleme të mëdha për autoritetn kontraktor;
ii) megjithëse mund të ndahen nga kryerja e kontratës fillestare, ato janë tepër të domosdoshme për përfundimin e saj.

- bëhen punime të reja, që kanë të bëjnë me përsëritjen e punimeve të ngjashme që i besohen operatorit ekonomik, me të cilin autoriteti kontraktor ka lidhur kontratën fillestare, me kusht që këto punime apo shërbime të jenë në përputhje me një projekt bazë për të cilin është lidhur kontrata fillestare, mbi bazën e një procedure prokurimi. Sapo projekti i parë është gati për tender, përdorimi i mundshëm i kësaj procedure do të bëhet i ditur në njoftimin e kontratës për kontratën fillestare, dhe vlera e përafërt totale e shpenzimeve të punimeve do të merret parasysh nga autoriteti kontraktor. Kjo procedurë mund të përdoret vetëm gjatë 3 (tri) viteve që pasojnë përfundimin e kontratës origjinale. Në asnjë rast kontrata shtesë nuk duhet të kalojë 20% të vlerës së përgjithshme të kontratës fillestare.

Kjo procedurë mund të përdoret vetëm në rast se është përmendur dhe përshkruar paraprakisht në njoftimin e kontratës bazë të prokurimit. Ajo është një lloj mundësie dhe autoriteti kontraktor mund të zgjedhë nëse do ta përdorë atë apo jo. Kushtet, si çmimi, duhet të përcaktohen në dokumentet standarde të tenderit. Për llogaritjen e vlerës limit të kontratës së parë, AK duhet ta bëjë llogaritjen me vlerën e plotë të secilit prej këtyre punimeve shtesë.

KREU IV/b
MARRëVESHJA KUADER
1. Përkufizim
Një marrëveshje kuadër mund të lidhet ndërmjet disa autoriteteve kontraktore dhe disa operatorëve ekonomikë. Një marrëveshje kuadër mund të lidhet ndërmjet disa autoriteteve kontraktore dhe një operatori ekonomik ose ndërmjet një autoriteti kontraktor dhe disa operatorëve ekonomikë. Në respektim të parimit të transparencës, autoritetet kontraktore, që janë palë në marrëveshje dhe që për këtë arsye u lejohet të bëjnë kontratë-porosi, duhet të listohen në njoftimet, në dokumentat e kontratës dhe në marrëveshjet kuadër. Të gjithë operatorët ekonomikë, që janë pjesë e marrëveshjes, duhet të listohen në marrëveshje.
Nuk është e lejueshme të përdorin një marrëveshje kuadër autoritetet kontraktore të cilat nuk jane të listuara.
Gjithashtu, nuk është e lejueshme të pranohen operatorë ekonomikë të tjerë në marrëveshje, pas përfundimit të procesit të prokurimit.
Një marrëveshje kuadër, ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara, konsiderohet një kontratë e përfunduar. Kontratat e bazuara në marrëveshjen kuadër të tillë janë pjesë e një kontrate tashmë të përfunduar. Për këtë arsye, nuk është e mundur që Komisioni i Prokurimit Publik të marrë masa të përkohshme, sipas ligjit për prokurimin publik, ndaj një marrëveshjeje kuadër të përfunduar.
Një marrëveshje kuadër, ku nuk përcaktohen të gjitha kushtet, nuk konsiderohet një kontratë. Në këtë rast, secila kontratë e bazuar në marrëveshjen kuadër konsiderohet një kontratë e re, që do të thotë se Komisioni i Prokurimit Publik mund të veprojë në lidhje me shqyrtimin e ankesave, sipas ligjit për prokurimin publik, ndaj këtyre kontratave, përpara se ato të përfundojnë.
Një marrëveshje kuadër është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët. Autoritetet kontraktore nuk janë të detyruara të prokurojnë një sasi të caktuar mallrash, shërbimesh ose punësh të përfshira në marrëveshje. Por, në rast se ato prokurojne mallra, shërbime ose punë që janë të përfshira, ato duhet të përdorin marrëveshjen. Operatorët ekonomikë janë të detyruar të dorëzojnë objektin e kontratës sipas cilësisë dhe çmimit të ofertuar, në kohën e kërkuar prej autoriteteve kontraktore. Gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes kuader autoritetetet kontraktore nuk lejohen të blejnë nga asnjë operator ekonomik tjetër të njëjtat mallra, shërbime ose punë të mbuluara nga një marrëveshje kuadër, pasi kjo do të konsiderohej shkelje e marrëveshjes.
2. Qëllimi
Ndryshimi ndërmjet një marrëveshjeje kuadër dhe kontratave të tjera që lidhen sipas procedurave të prokurimit, të parashikuara në ligjin për prokurimin publik, është se sasia aktuale e mallrave, shërbimeve ose e punëve që do të prokurohen nuk është e përcaktuar në një marrëveshje kuadër. Për këtë arsye, këto lloj marrëveshjesh mund të përdoren kur autoritetet kontraktore e dinë me siguri objektin që do të prokurojnë, por nuk dinë sasinë që do të prokurojne. Nëse një marrëveshje kuadër prokurohet sipas rregullave për kufijtë limit, për një periudhë katërvjeçare, autoritetet kontraktore, të cilat janë pjesë e marrëveshjes, mund të blejnë një sasi të pakufizuar përgjatë kësaj periudhe.
Autoritetet kontraktore mund të blejnë vetëm për të plotësuar nevojat e tyre dhe jo për nevoja të autoriteteve kontraktore që nuk janë pjesë në marrëveshjen kuadër.
3. Prokurimi
Marrëveshja kuadër prokurohet sipas këtyre rregullave. Ajo mund të lidhet vetëm pasi autoritetet kontraktore të kenë kryer një procedurë të hapur, të kufizuar ose me negociim me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Në kontratat sektoriale, autoritetet kontraktore mund te përdorin, gjithashtu, procedurën me negociim pa shpallje paraprake të njoftimit.
Operatorët ekonomikë përzgjidhen duke zbatuar kriteret e përcaktimit të ofertës fituese, sipas përcaktimeve të nenit 55, të ligjit për prokurimin publik. Kontratat e bazuara në marrëveshjen kuadër janë të ndryshme, në varësi të llojit të marrëveshjes kuadër të përdorur.
Njoftimi i fituesit për një marrëveshje kuadër, duhet të publikohet.
Autoritetet kontraktore nuk duhet të publikojnë fituesin për një kontratë bazuar në marrëveshjen kuadër.
4. Kushtet
Kohëzgjatja e një marrëveshjeje kuadër nuk mund të jetë më shumë se katër vjet. Në marrëveshjen kuadër përcaktohen kushtet, mbi bazën e të cilave do të lidhen kontratat. Kushtet do të jenë të ndryshme, në varësi të llojit të marrëveshjes kuadër që prokurohet.
5. Marrëveshjet me një operator ekonomik dhe ku janë të përcaktuara të gjitha kushtet
Kontratat e bazuara në marrëveshjet kuadër të lidhura vetëm me një operator ekonomik duhet të akordohen brenda kufijve dhe kushteve të parashikuara në marrëveshjen kuadër. Në kontratat e bazuara në marrëveshjet kuadër nuk mund të bëhen ndryshime thelbësore të kushteve, pasi kjo do të konsiderohej shkelje e marrëveshjes kuadër. Nëse nevojat e autoritetit kontraktor ndryshojnë në mënyrë thelbësore, atëherë, autoriteti kontraktor duhet të prokurojë një marrëveshje kuadër të re. Një operatori ekonomik mund t’i kërkohet të përgatisë ofertën e tij, vetëm në lidhje me ato kushte që nuk kanë ndonjë ndikim thelbësor mbi kushtet e rëna dakord paraprakisht në marrëveshjen kuadër.
6. Marrëveshjet me disa operatorë ekonomike dhe ku jane te percaktuara te gjitha kushtet.
Kontratat e bazuara në marrëveshjet kuadër, ku janë të përcaktuara të gjitha kushtet, të lidhura me disa operatorë ekonomikë duhet të akordohen brenda kufijve të kushteve të parashikuar në marrëveshjen kuadër. Meqenëse, këto marrëveshje kuadër vlerësohen si kontrata, nuk lejohet të bëhen ndryshime thelbësore të kushteve të tyre, pasi kjo do të konsiderohej shkelje e kontratës. Nëse nevojat e autoritetit kontraktor ndryshojnë në mënyrë thelbesore, atëherë, autoriteti kontraktor duhet të prokurojë një marrëveshje kuadër të re.
Marrëveshjet kuadër me disa operatorë ekonomikë duhet të lidhen me të paktën tre operatorë ekonomikë, nëse, të tre operatorët ekonomikë i kanë përmbushur të gjitha kriteret e përzgjedhjes dhe të shpalljes së kontratës fituese. Në rast të kundërt, autoritetet kontraktore mund të lidhin marrëveshje kuadër me ata operatorë ekonomike që i kanë përmbushur të gjitha kriteret, edhe sikur të jenë vetëm dy.
7. Marrëveshjet me disa operatorë ekonomike dhe ku nuk janë të përcaktuara të gjitha kushtet
Marrëveshjet kuadër ku nuk janë të përcaktuara të gjitha kushtet nuk konsiderohen kontrata, sipas ligjit për prokurimin publik. Përkundrazi, kontrat e bazuara në marrëveshjen kuadër përbëjnë kontratat e prokurimit. Kjo do të thotë që për çdo kontratë të bazuar në marrëveshjen kuadër autoriteti kontraktor duhet të bëjë një konkurrim të ri ndërmjet atyre operatorëve ekonomikë, që janë pjesë e marrëveshjes. Nuk është e nevojshme të ftohen të gjithë operatorët ekonomikë të marrin pjesë në një konkurrim të ri, por autoriteti kontraktor duhet të ftojë të gjithë ata operatorë ekonomikë në marrëveshje, që zotërojnë kapacitetet për të përmbushur kontratën.
Në njoftimin dërguar operatorëve ekonomikë, autoriteti kontraktor duhet të përcaktojë kriteret e përcaktimit të ofertës fituese për kontratën e bazuar në marrëveshjen kuadër. Kriteret e përcaktimit të ofertës fituese mund të jenë të njëjta si ato të marrëveshjes kuadër. Autoriteti kontraktor, gjithashtu, mund të përdorë kritere të tjera, vetëm në rast se ato kritere janë të përcaktuara në dokumentet e marrëveshjes kuadër fillestare. Këto kritere mund të jenë çmimet për volume të caktuara, informacion për konsulencat për një shërbim intelektual, koha e nevojshme për dorëzim ose orët e nevojshme për kryerjen e punimeve specifike.
Kjo lloj marreveshjeje kuadër nuk është e zbatueshme në rastet e kontratave sektoriale.”.
5. Në pikën 4, kreu VI, “Zhvillimi i procedurës së kërkesës për propozim, prokurimi me vlera të vogla, shërbimet e konsulencës, konkursi i projektimit”, bëhen këto ndryshime:
c) Shkronja “b”, “Konkursi i projektimit”, shfuqizohet.
d) Në shkronjën “d”, fjalët “... ose që janë të përfshirë në më shumë se një projekt...” shfuqizohen.
6. Në kreun VII, “Kushtet e përgjithshme për zbatim”, bëhen këto ndryshime:
a) Fjalia e dytë e shkronjës “b”, të pikës 1, shfuqizohet.

b) Dy paragrafët e fundit të shkronjës “b”, të pikën 3, shfuqizohen.

7. Në shkronjat “b”, e “d”, të pikës 1, të kreut IX, “Shqyrtimi i ankesave”, dhe në shkronjën “a” të pikës 2, të këtij kreu, fjalët “... brenda 5 ditë pune” zëvendësohen me “...brenda 7 ditëve kalendarike...”;
8. Kreu X, “Sanksionet administrative dhe masat disiplinore”, ndryshohet si më poshtë vijon:

“KREU X
SANKSIONET ADMINISTRATIVE DHE MASAT DISIPLINORE

1. Mosrespektimi i rregullave të prokurimit, në përputhje me dispozitat e LPP-së, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, të përcaktuar përkatësisht:

a) Autoritetin kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e përcaktuara në pikën 2, të nenit 12, të LPP-së, gjobitet nga 50 000 deri në 100 000 lekë;

b) Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e krijimit të një regjistri, të përcaktuar në pikën 3, të nenit 12, të LPP-së, gjobitet nga 30 000 deri në 50 000 lekë;

c) Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e dorëzimit të raporteve të veprimtarisë së tij të prokurimit, sipas afatit të përcaktuar në pikën 1, të nenit 12, të LPP-së, gjobitet nga 15 000 deri 30 000 lekë;

ç) Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin për formën e komunikimit, për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacionit, të përcaktuar në nenet 21, pika 3, e 22, të LPP-së, gjobitet nga 50 000 deri në 100 000 lekë;

d) Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e parashikuar në nenin 23, të LPP-së, gjobitet nga 30 000 deri në 50 000 lekë;

dh) Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e përcaktuar në nenin 25, të LPP-së, gjobitet nga 50 000 deri në 80 000 lekë;

e) Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e përcaktuar në nenin 38, të LPP-së, gjobitet nga 50 000 deri në 100 000 lekë;

ë) Autoriteti kontraktor, që nuk përmbush detyrimin e përcaktuar në nenin 42 të LPP-së, gjobitet nga 50 000 deri në 100 000 lekë;

f) Personat, që përpiqen të ndikojnë në vendimmarrjen e Komisionit të Prokurimit Publik, në kundërshtim me nenin 19/7, të LPP-së, gjobitet nga 50 000 deri 100 000 lekë.

2. Refuzimi i nëpunësit civil, i funksionarit ose i autoritetit publik për të bashkëpunuar me Komisionin e Prokurimit Publik, Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Avokatin e Prokurimeve përbën shkak që këto institucione t’i kërkojnë Agjencisë së Prokurimeve Publike propozimin e masave disiplinore tek autoritetet kontraktore përgjegjëse.

3. Në çdo rast tjetër të shkeljes së dispozitave të LPP-së, që nuk është përmendur më sipër, kërkohet dhënia e masave disiplinore ndaj personave përgjegjës. Në dhënien e masës administrative apo disiplinore, duhet të mbahen parasysh rrethanat, pasojat dhe roli i zyrtarit në shkelje dhe, në çdo rast, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative. Sanksionet administrative dhe masat disiplinore nuk përjashtojnë përgjegjësinë penale të personit përgjegjës për shkeljet.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


26/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›