E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER NGRITJEN, PËRBËRJEN, ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE MËNYRËN E SHPËRBLIMIT TË KOMISIONIT TË MBROJTJES NGA RREZATIMET

V E N D I M

PËR

NGRITJEN, PËRBËRJEN, ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE MËNYRËN E SHPËRBLIMIT TË KOMISIONIT TË MBROJTJES NGA RREZATIMET

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 6, të ligjit nr.8025, datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Ngritjen e Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet, i cili të kryesohet nga ministri i Shëndetësisë dhe të ketë në përbërje:

-          Një përfaqësues nga Instituti i Shëndetit Publik;

-          Drejtorin e Drejtorisë Juridike, në Ministrinë e Shëndetësisë;

-          Një përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave;

-          Një ekspert i rrezatimeve jonizuese;

-          Dy përfaqësues nga Universiteti i Tiranës, ekspertë të mbrojtjes nga rrezatimet;

-          Një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

2.     Kryetari i zyrës së mbrojtjes nga rrezatimet është sekretar i Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet, ekspert i rrezatimeve jonizuese.

3.     Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet (KMRR) është autoriteti kombëtar rregullator, i cili mbikëqyr dhe siguron zbatimin e ligjit nr.8025,  datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, të ndryshuar, dhe të akteve të tjera, ligjore dhe nënligjore, në fushën e mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese.

4.     Komisioni mblidhet, si rregull, një herë në 2 muaj, sipas njoftimit të kryetarit dhe mbledhjet zhvillohen me jo më pak se 2/3 e anëtarëve. Njoftimi përmban rendin e ditës dhe materialet, që do të diskutohen në mbledhje. Ai u dërgohet anëtarëve të komisionit të paktën 7 ditë përpara datës së caktuar për mbledhje.

5.     Mbledhja e parë e KMRR-së duhet të thirret jo më vonë se 45 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe në këtë mbledhje zgjidhet protokolluesi i komisionit, i cili mban procesverbalin e mbledhjeve të KMRR-së.

6.     Mbledhjet e KMR-së i drejton kryetari, dhe, në mungesë të tij, vetë kryetari cakton një anëtar të komisionit për drejtimin e mbledhjes.

7.     Kur një anëtar nuk merr pjesë në tri mbledhje radhazi përjashtohet, me vendim të kryetarit të komisionit të mbrojtjes, dhe zëvendësohet nga institucioni përkatës.

8.     Mandati i anëtarëve të komisionit është 4-vjeçar.

9.     Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje, për çdo anëtar dhe për sekretarin e Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimi, është 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo mbledhje.

10.   Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, mbulohen nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë.

11.  Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn n¸ fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA


13/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›