E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER PËRCAKTIMIN E AFATEVE, TË MËNYRËS DHE KOHËS SË USHTRIMIT NGA ALUIZNI TË PËRGJEGJËSIVE TË ZYRAVE TË URBANISTIKËS DHE TË KËSHILLAVE TË QARQEVE, GJATË PROCEDURAVE TË LEGALIZIMIT TË OBJEKTEVE INFORMALE

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E AFATEVE, TË MËNYRËS DHE KOHËS SË USHTRIMIT NGA ALUIZNI TË PËRGJEGJËSIVE TË ZYRAVE TË URBANISTIKËS DHE TË KËSHILLAVE TË QARQEVE, GJATË PROCEDURAVE TË LEGALIZIMIT TË OBJEKTEVE INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të  ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. ALUIZNI të kryejë procedurat e evidentimit në terren, të përgatisë raportin e gjendjes faktike dhe të shqyrtojë e të kualifikojë ndërtimet informale në të gjitha qarqet e vendit, për shkak të mosushtrimit, nga organet e njësive të qeverisjes vendore, të përgjegjësive të parashikuara në nenin 10, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

2. ALUIZNI, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të kryejë evidentimin në terren të objekteve informale/objekteve me leje, me shtesë informale në objekt, si dhe të bëjë përditësimin e të dhënave të gjendjes ndërtimore dhe të hartojë procesverbalin e konstatimit, të tipit A ose A1, sipas modeleve, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

3. Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar të dhënat e përftuara nga përditësimi dhe në përputhje me kriteret ligjore të miratuara për shqyrtimin dhe  kualifikimin e objekteve informale/objekteve me leje, me shtesë informale në objekt, që legalizohen ose jo, vepron, si më poshtë vijon:

3.1. Përgatit hartën në shkallën 1:1000 deri në 1:5000, për zonën kadastrale/bllokun kadastral, ku ndodhen objektet informale/objektet me leje, me shtesë informale në objekt, ku të pasqyrohen:

a) Sistemi rrugor i nivelit kombëtar e rajonal, ekzistues, i miratuar ose në proces miratimi;

b) Infrastruktura inxhinierike;

c) Territoret, që kanë mbrojtje të veçantë ligjore.

ç) Situata e pronësisë mbi tokën;

 d) Studimet urbanistike, që parashikojnë ndërtime mbi 5 kate mbi troje private, brenda vijës kufizuese të ndërtimit, të miratuara deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

3.2. Plotëson, në bazë të gjendjes së pasqyruar në hartë, aktin e kualifikimit, të tipit A ose A1, sipas modeleve, që i bashkëlidhen këtij vendimi, duke i kualifikuar këto objekte:

a) për legalizim;

b) të përjashtuar nga legalizimi.

4. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


13/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›