VENDIM PER TRAJTIMIN ME USHQIM, PA PAGESË, TË EFEKTIVAVE TË GARDËS SË REPUBLIKËS
V E N D I M
PëR
TRAJTIMIN ME USHQIM, PA PAGESë, Të EFEKTIVAVE Të GARDëS Së REPUBLIKëS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “g”, të pikës 2, të nenit 39, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Trajtimin me ushqim, pa pagesë, të efektivave të Gardës së Republikës, sipas mënyrës dhe kategorive të poshtëshënuara:
a) Me një vakt (drekë) ushqim, efektivat që shërbejnë në strukturat operuese të Gardës së Republikës.
b) Me tre vakte ushqim, njësia e ndërhyrjes së shpejtë, grupet e gatshme, të cilave, për natyrë të veçantë pune, shërbimi u zgjat më shumë se koha normale e punës.
c) Me tre vakte, i gjithë efektivi i Gardës së Republikës, për rastet e kalimit në gatishmëri.
2. Strukturat, numri sipas strukturave dhe normat e trajtimit me ushqim, për çdo vakt, përcaktohen me urdhër të ministrit të Brendshëm.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, mbulohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Brendshme.
4. Vendimi nr.256, datë 13.6.1994, i Këshillit të Ministrave, “Për rritjen e normës së trajtimit ushqimor të kompanisë operative në Gardën e Republikës”, shfuqizohet.
5. Ngarkohen Ministri i Brendshëm dhe Komandanti i Gardës së Republikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
14/07/2010