VENDIM PER HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR TË SIPËRFAQEVE TË DISA NGASTRAVE TË EKONOMIVE PYJORE “MALI I KAKARIQIT”, LEZHË, DHE “DAJÇ-VELIPOJ˔, SHKODËR, QË DO TË PËRDOREN NGA “SEASIF GROUP”, SHPK, PËR NDËRTIM FABRIKE ÇIMENTOJE DHE KARIERE GURI GË
V E N D I M
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR TË SIPËRFAQEVE TË DISA NGASTRAVE TË EKONOMIVE PYJORE “MALI I KAKARIQIT”, LEZHË, DHE “DAJÇ-VELIPOJË”, SHKODËR, QË DO TË PËRDOREN NGA “SEASIF GROUP”, SHPK, PËR NDËRTIM FABRIKE ÇIMENTOJE DHE KARIERE GURI GËLQEROR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqet në ngastrat 1 e 2, të ekonomisë pyjore “Mali i Kakariqit”, Lezhë, dhe në ngastrat 40 e 41, të ekonomisë pyjore “Dajç-Velipojë”, Shkodër, që do të përdoren nga “Seasif Group”, shpk, për karierë guri gëlqeror, me sipërfaqe 80,3 (tetëdhjetë presje tre) ha, dhe për ndërtim fabrike çimentoje, 16,7 (gjashtëmbëdhjetë presje shtatë) ha, gjithsej 97 (nëntëdhjetë e shtatë) ha, të hiqen nga fondi pyjor e kullosor kombëtar dhe të çregjistrohen nga kadastra kombëtare e pyjeve dhe kullotave, sipas tabelës 1 dhe hartës përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pasi të përcaktojnë në terren dhe në hartë kufijtë e rinj të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, që rezultojnë nga heqja e sipërfaqeve të këtyre ngastrave, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të bëjnë çregjistrimin e sipërfaqeve nga kategoria “Tokë e zënë, kullotë” dhe “Tokë e zënë, pyll” dhe t’i regjistrojnë në sipërfaqe inproduktive (karierë guri gëlqeror dhe truall për ndërtim fabrike), në përputhje me pikën 9, të vendimit nr.1353, datë 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat për paraqitjen e kërkesës, mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit teknik, kriteret dhe procedurat e zvogëlimit të sipërfaqes dhe të vëllimit të fondit pyjor”.
3. Vlera e kësaj sipërfaqeje pyjore dhe kullosore të paguhet nga “Seasif Group”, shpk, sipas akteve ligjore në fuqi. Llogaritja e tarifave për heqjen nga fondi pyjor të bëhet sipas lidhjes 4, që i bashkëlidhet vendimit nr.391,datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”.
4. “Seasif Group”, shpk-ja, brenda 3 (tre) viteve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të pyllëzojë, me fondet e veta, 53 (pesëdhjetë e tre) ha me pyje, si dhe të përmirësojë 38 (tridhjetë e tetë) ha kullotë, në ngastrat e përcaktuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor.
Lloji i drurëve, që do të mbillen, dhe grafiku i mbjelljeve të caktohen nga drejtoritë përkatëse të shërbimit pyjor, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, të cilat i ndjekin mbjelljet deri në marrjen në dorëzim, me procesverbal, të sipërfaqes së pyllëzuar, sipas marrëveshjes, që do të lidhin me kërkuesin.
4. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë, komuna Balldre, e qarkut të Lezhës, e komuna Bushat, e qarkut të Shkodrës, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
13/05/2009