E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM PER PROJEKTIMIN, ZBATIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SISTEMEVE TË INFORMACIONIT

V E N D I M


PëR

PROJEKTIMIN, ZBATIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SISTEMEVE Të INFORMACIONIT

Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 3, të nenit 21, të ligjit, nr.10273, datë 29.4.2010, “Për dokumentin elektronik”, me propozimin e ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

1. Për sistemet e informacionit të cilat ofrojnë shërbime për qytetarët, për biznesin dhe për ndërveprimin dhe shkëmbimin e informacionit për administratën publike nëpërmjet sistemeve elektronike është detyruese të zbatohen këto rregulla:

a) Institucionet të cilat do të zhvillojnë sisteme të reja në fushën e teknologjisë së informacionit, që në projektimin e tyre dhe në vazhdim, gjatë zbatimit, duhet të parashikojnë si zë më vete, të përfshirë në investim, sistemin e vazhdueshmërisë së punës (“Business Continuity Center”, BCC) dhe sistemin e ruajtjes së informacionit (Back-up), me qëllim që të mundësojnë ofrimin e shërbimit pa ndërprerje 24 orë në 24 orë.

b) Institucionet të cilat kanë sisteme në fushën e teknologjisë së informacionit në operim, duhet të parashikojnë realizimin e investimeve për sistemin e vazhdueshmërisë së punës (“Business Continuity Center”, BCC) dhe sistemin e ruajtjes së informacionit (Back-up), me qëllim që të mundësojnë ofrimin e shërbimit pa ndërprerje 24 orë në 24 orë.

c) Institucionet që janë duke zhvilluar sisteme të reja në fushën e teknologjisë së informacionit duhet, detyrimisht, të kuotojnë dhe të parashikojnë marrëveshjen për mirëmbajtjen e sistemit (“Service Level Agreement”, SLA), si pjesë e së njëjtës procedurë të realizimit të investimit për këto sisteme. Mirëmbajtja fillon në përfundim të afatit të garancisë së sistemit (“Service Level Agreement”, SLA) me kohëzgjatje minimale 4-vjeçare.

ç) Institucionet të cilat kanë sisteme ekzistuese, të kuotojnë dhe të parashikojnë marrëveshje për mirëmbajtjen e sistemit (“Service Level Agreement”, SLA), për një periudhë mirëmbajtjeje me kohëzgjatje minimalisht 2-vjeçare.

2. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


01/09/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›