VENDIM PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË DYTË, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, PRIVATE, “SEVASTI & PARASHQEVI QIRIAZI”
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË DYTË, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, PRIVATE, “SEVASTI & PARASHQEVI QIRIAZI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e programeve të studimit, të ciklit të dytë, pranë shkollës së lartë universitare, private, “Sevasti & Parashqevi Qiriazi”, me seli në Tiranë, të studimeve, “Master i nivelit të parë”, (MNP) në:
a) Administrim biznesi;
b) Financë;
c) Kontabilitet.
2. Studimet në “Master i nivelit të pare” (MNP) synojnë arsimimin dhe trajnimin e mëtejshëm profesional. Këto programe studimi do të realizohen me së paku 60 kredite, me kohëzgjatje normale 1 vit. Në përfundim të këtyre studimeve lëshohet diploma “Master i nivelit të pare” (MNP), përkatësisht në:
a) “Administrim biznesi”;
b) “Financë”;
c) “Kontabilitet”.
3. Ngarkohet shkolla e lartë universitare, private, “Sevasti & Parashqevi Qiriazi”, që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, nga një personel akademik me kualifikimin e nevojshëm dhe sipas specialitetit.
4. Shkolla e lartë universitare, private, “Sevasti & Parashqevi Qiriazi”, do ta fillojë veprimtarinë mësimore, për programet e studimit, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë lejen përkatëse nga ministri і Arsimit dhe Shkencës, por jo më vonë se dy javë para fillimit të vitit akademik.
Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.
5. Ndryshimet në vendndodhje, plane, forma studimi dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
6. Shkolla e lartë universitare, private, “Sevasti & Parashqevi Qiriazi”, duhet t’u nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të këtyre programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.
7. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
19/02/2009