E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR KRITERET DHE PROCEDURAT E PËRCAKTIMIT TË STATUSIT TË ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE, PËR PËRFITIM PUBLIK

V E N D I M

 

PËR

 

 

KRITERET DHE PROCEDURAT E PËRCAKTIMIT TË STATUSIT TË ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE, PËR PËRFITIM PUBLIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të paragrafit të dytë, të nenit 24, të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1.        Një organizatë jofitimprurëse (OJF) mund të kërkojë statusin e përfitimit publik, në qoftë se plotëson kriteret e mëposhtme:

1.1.              Është e organizuar dhe e strukturuar për kryerjen e një ose më shumë veprimtarive në arsim dhe shëndetësi, si veprimtari kryesore të saj. Arsimi dhe shëndetësia janë veprimtari të përfitimit publik vetëm nëse ofrojnë, për grupe ose persona në nevojë, shërbime të rëndësishme, falas ose me çmim më të ulët se vlera e tregut. Zhvillimi ekonomik përbën veprimtari të përfitimit publik vetëm nëse ndërmerret kryesisht në përfitim të grupeve ose personave në nevojë.

1.2.              Çmimet e mallrave dhe të shërbimeve, që ato furnizojnë, janë jo më pak se 50 për qind më të ulëta se çmimet e tregut të zonës, ku ofrohet malli/shërbimi, ose kur i ofrojnë këto shërbime a mallra falas.

Vlera e tregut përcaktohet në bazë të metodave të përcaktuara në udhëzimin nr.24, datë 2.9.2008, të ministrit të Financave, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

1.3.              Të ardhurat nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve mbulojnë, minimalisht, jo më shumë se 50 për qind të kostos së ofrimit të mallit/shërbimit dhe pjesa tjetër duhet të mbulohet nga donacionet, kontributet dhe të ardhura të tjera të OJF-së.

2.        Nëse vërehen shkelje nga OJF-ja të këtij vendimi, ministri i Financave revokon ose pezullon autorizimin për statusin e përfitimit publik. Në rast revokimi ose pezullimi të statusit të përfitimit publik duhet të respektohen dispozitat përkatëse të pikës 4, të këtij vendimi.

3.        Organizatat jofitimprurëse, të interesuara për të përfituar statusin e OJF-së për përfitim publik, duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, së bashku me dokumentet e mëposhtme:

a)       Certifikatën tatimore, NIPT-in (fotokopje e noterizuar);

b)       Vendimin e gjykatës (fotokopje e noterizuar);

c)       Statutin e organizatës jofitimprurëse dhe kontratën e themelimit (për personat juridikë);

ç) Dokumentet nga gjykata, prokuroria, si për shoqatën edhe për administratorin, dëshminë për mosndjekje penale nga Ministria e Drejtësisë;

d) Vërtetimin nga zyra e përmbarimit se ndaj subjektit nuk ka nisur procedurë falimentimi;

 dh) Një deklaratë për misionin dhe qëllimin mirëbërës shoqëror të OJF-së;

   e) Identifikimin e programeve kryesore dhe të veprimtarive, që kanë për qëllim realizimin e programeve. Deklarata duhet të dëshmojë mënyrën si organizata realizon qëllimet mirëbërëse shoqërore, përmes veprimtarive;

   ë) Një deklaratë për arritjet kryesore të programeve;

   f) Vërtetimin se nuk ka mbledhur fonde dhe nuk ka bërë fushatë për përkrahjen e partive politike apo për emërimin e zgjedhjen e kandidatëve në detyra të ndryshme publike, apo për regjistrimin dhe përkrahjen e kandidatëve të emëruar a të zgjedhur në funksione publike gjatë periudhës, për të cilën raportohet;

   g) Nëse është e angazhuar në veprimtari mirëbërëse shoqërore, në fushën e arsimit apo të shëndetësisë një deklaratë për:

i)         kategorinë e personave dhe të grupeve të varfëra, të cilëve u shërben;

ii)       kategorinë e dobive, që u ofron personave dhe grupeve të njerëzve të varfër;

iii)      një vërtetim se mallrat apo shërbimet ofrohen falas apo u ofrohen, së paku, 50 për qind më lirë se vlera e tyre në treg.

gj) OJF-ja, e cila angazhohet në veprimtari bamirëse shoqërore, në fushën e zhvillimit ekonomik, dorëzon edhe një deklaratë për kategorinë personave të varfër apo të grupeve, që u shërben;

h) Deklaratat financiare, të cilat duhet të përmbajnë:

i)         bilanci. Nëse OJF-ja ka tri ose më shumë se tri vite që është krijuar, paraqitet bilanci i tri viteve të fundit, vërtetuar nga eksperti kontabël;

ii)       burimet e financimit.

Një OJF mund të kërkojë të aplikojë për statusin për përfitim publik në çastin kur bën regjistrimin fillestar si OJF ose edhe më vonë.

3.1.        Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ngre një grup pune (me 2 deri 3 punonjës), i cili verifikon tërë veprimtarinë e organizatës jofitimprurëse, në përputhje me kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, si dhe bën verifikimet e nevojshme për borxhet e mundshme dhe shkeljet e mundshme të organizatës.

3.2.        Në përfundim të këtij verifikimi, grupi i punës harton një raport për drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku përshkruhen edhe sugjerimet e mundshme për dhënien e autorizimit.

3.3.        Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve përcjell te ministri i Financave brenda dy javëve nga data e dorëzimit të kërkesës, kërkesën, me dokumentet shoqëruese mendimin e vet, për miratimin e autorizimit.

3.4.        Ministri i Financave, brenda shtatë ditëve miraton lëshimin e autorizimit për OJF-të, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë vendim. Autorizimi është i vlefshëm për 3 vjet, me të drejtë rinovimi.

Nëse dhënia e autorizimit refuzohet, ministri i Financave jep arsyet, për të cilat autorizimi është refuzuar.

4. Ministri i Financave pezullon ose revokon një autorizim për shkelje të ndonjë dispozite të këtij vendimi. Përveç rasteve të shkeljeve serioze, që rrezikojnë apo dëmtojnë publikun, ministri i Financave, i dërgon OJF-së njoftim me shkrim për shkeljen e dispozitave dhe i jep mundësi për t’u përgjigjur para se të pezullojë ose revokojë autorizimin. Rastet e pezullimit dhe të revokimit të autorizimit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

4.1. Nëse gjatë kontrolleve të organeve tatimore vërehet se OJF-ja kryen veprimtari apo furnizon mallra a shërbime në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në pikat 1 e 2, të këtij vendimi, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, ministri i Financave ka të drejtë t’i heqë ose pezullojë OJF-së të drejtën e përjashtimit nga TVSH-ja. Në këtë rast, OJF-ja detyrohet të paguajë detyrimin e papaguar pas vlerësimit tatimor. Nëse pas heqjes të së drejtës për të përfituar përjashtim nga TVSH-ja, organizata jofitimprurëse rikthehet në situatën e mëparshme, ajo ka të drejtë të fillojë aplikimin për autorizim nga e para.

4.2. Organet doganore ruajnë të drejtën për t’i kontrolluar ngarkesat apo dërgesat për OJF-të me status të përfitimit publik. Mallrat, e padeklaruara apo të deklaruara në mënyrë të rreme, (përfshirë deklaratat mashtruese për vlerën e mallit) do të tatohen dhe trajtohen si shkelje doganore. Organet doganore vënë në dijeni Ministrinë e Financave për çfarëdo shkelje ligjore. Organet doganore ruajnë të drejtën të bëjnë verifikime të mëvonshme për destinimin dhe përdorimin e ngarkesave e të dërgesave, të liruara nga OJF-të me status të përfitimit publik. Nëse kontrollimet e mëvonshme tregojnë se ka pasur mashtrim apo shkelje doganore, OJF-ja detyrohet ta paguajë TVSH-në sikur ato mallra të ishin importuar në mënyrë tregtare dhe, veç të tjerash, i duhet të paguajë edhe dënimet, për shkeljet doganore.

5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

6. Ngarkohet ministri i Financave për nxjerrjen e udhëzimit, në zbatim të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA


24/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›