E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR LICENCIMIN E SHKOLLËS PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË “GJON BUZUKU”, SHKODËR

VENDIM

PëR

LICENCIMIN E SHKOLLëS PRIVATE Të ARSIMIT Të LARTë “GJON BUZUKU”, SHKODëR


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Licencimin e shkollës private të arsimit të lartë “Gjon Buzuku”, Shkodër, e cila do të ushtrojë veprimtarinë në qytetin e Shkodrës.

2. Shkolla private e arsimit të lartë “Gjon Buzuku”, Shkodër, do të organizohet në dy fakultete:

a) Fakulteti i Drejtësisë, që do të ofrojë programet e studimit të ciklit të parë, në “Drejtësi”.

b) Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, që do të ofrojë programin e studimit të ciklit të parë, në “Informatikë’.

3. Shkolla private e arsimit të lartë “Gjon Buzuku”, Shkodër, do të ofrojë programet e studimit të ciklit të parë, me kohëzgjatje 3 (tri) vite akademike dhe me plotësimin e, së paku, 180 krediteve. Në përfundim të këtyre programeve të studimit lëshohet “Diplomë e nivelit të parë” (DNP), në:

a) Drejtësi;

b) Informatikë.

4. Shkolla private e arsimit të lartë “Gjon Buzuku”, Shkodër, të fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se tri javë para fillimit të vitit akademik, lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.

5. Ndryshimet në vendndodhje, plane, forma studimi e programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

6. Shkolla private e arsimit të lartë “Gjon Buzuku”, Shkodër, duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.

7. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


20/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›