VENDIM PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.547, DATË 9.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË BURIMEVE NATYRORE”
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.547, DATË 9.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË BURIMEVE NATYRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në fund të pikës 3, të vendimit nr.547, datë 9.8.2006, të Këshillit të Ministrave, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Drejton dhe bashkërendon punën me strukturën e specializuar të Kombeve të Bashkuara, Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), si dhe ndërmjet strukturave shtetërore, institucioneve të specializuara, vendase dhe të huaja, universiteteve dhe qendrave kërkimore-shkencore, vendase dhe të huaja, sektorit privat, organizatave jofitimprurëse, grupeve të interesit etj., për të krijuar infrastrukturën kombëtare të nevojshme (përfshirë kuadrin e nevojshëm ligjor dhe rregullator, strukturat e specializuara të domosdoshme etj.), për vënien në jetë dhe në funksion të programit të energjisë bërthamore në Shqipëri.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
12/11/2008