VENDIM PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PËRCAKTIMIN E FORMËS DHE TË FORMULËS SË PRIVATIZIMIT TË INSIG, SHA-S˔
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PËRCAKTIMIN E FORMËS DHE TË FORMULËS SË PRIVATIZIMIT TË INSIG, SHA-SË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG, sha-së”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
PËRCAKTIMIN E FORMËS DHE TË FORMULËS SË PRIVATIZIMIT TË INSIG, SHA-SË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Neni 1Objekti
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i formës dhe i formulës së transferimit të aksioneve, që zotëron shteti shqiptar, në shoqërinë tregtare INSIG, sha, dhe i të drejtave të lidhura me to.
Neni 2
Forma e privatizimit
1. Forma e transferimit të 100 për qind të aksioneve të shoqërisë tregtare INSIG, sha-së, të cilat zotërohen nga shteti shqiptar, është transferimi me anë të shitjes, në favor të investitorëve, nëpërmjet procedurës “Tender i hapur ndërkombëtar”, sipas formulës së përcaktuar në nenin 3, të këtij ligji.
2. “Investitor”, është shoqëria e njohur në tregun, kombëtar dhe ndërkombëtar, të sigurimeve, që është e suksesshme në treg dhe është në gjendje të tregojë e të përmbushë kapacitetet e kërkuara për zhvillimin e INSIG, sha-së, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të sigurimeve në Republikën e Shqipërisë.
3. Kriteret e përzgjedhjes së investitorëve dhe kriteret e vlerësimit të ofertave për privatizimin e INSIG, sha-së, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 3
Formula e privatizimit
Struktura e formulës së privatizimit të INSIG, sha-së, është që deri në 100 për qind të aksioneve t’u ofrohen për shitje investitorëve, të cilët përzgjidhen me tender të hapur ndërkombëtar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 4
Vlerësimi i çmimit dhe përzgjedhja e vlerësuesit
1. Vlera e të drejtave, që lidhen me aksionet e shtetit në INSIG, sha-në, me të cilën do të fillojnë negociatat për shitjen, është vlera e miratuar me vendimin nr.1578, datë 4.12.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerës të së drejtave, që lidhen me aksionet e shtetit në INSIG, sha-në, me të cilën do të fillojnë negociatat për shitjen e tyre”.
2. Nëse blerësit e mundshëm ofrojnë çmime blerjeje nën vlerën mesatare, negociohet me ofertuesit për rritjen e çmimit të ofruar. Kriteri i përzgjedhjes së blerësit/blerësve do të jetë çmimi, i cili:
a) nuk mund të jetë më i ulët se vlera mesatare, e përcaktuar në raportin e vlerësuesit ndërkombëtar;
b) duhet të jetë më i lartë nga ai i ofruara nga blerësit e kualifikuar në fazat e mëparshme të procesit të tenderit të hapur ndërkombëtar.
3. Projektmarrëveshja miratohet në Këshillin e Ministrave. Marrëveshja e shitjes së aksioneve të INSIG, sha-së, nënshkruhet nga ministri i Financave dhe përfaqësuesi i blerësit.
Neni 5
Kostoja e privatizimit
1. Shpenzimet e lidhura me pagesën e këshilltarit të privatizimit dhe ato të lidhura me suksesin e privatizimit përballohen nga arkëtimet, prej shitjes së aksioneve të INSIG, sha-së.
2. Shpenzimet e tjera, të nevojshme gjatë fazës së parë, përpara transferimit të aksioneve në favor të blerësit/blerësve, përballohen si pjesë e kostos operacionale të INSIG, sha-së.
Neni 6
Monedha e pagesës
Transferimi i aksioneve në favor të investitorëve të përzgjedhur, sipas këtij ligji, bëhet në një monedhë të huaj, sipas përcaktimit të bërë nga ministri i Financave.
Neni 7
Aksionet e mbetura
Kur edhe pas përzgjedhjes dhe transferimit të aksioneve, sipas këtij ligji, kanë mbetur aksione të pashitura, ato u shiten, me ofertë publike, subjekteve private shqiptare, brenda tri vjetëve nga data e transferimit të kësaj pjesë të aksioneve.
Pagesa për shitjen e aksioneve subjekteve private shqiptare bëhet në monedhën vendase.
Neni 8
Detyrimet e investitorëve
1. Investitorët, pjesëmarrës në procesin e shitjes së aksioneve të INSIG, sha-së, duhet të respektojnë kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi dhe, në mënyrë të veçantë, kërkesat e parashikuara nga legjislacioni tregtar dhe ai i sigurimeve në Republikën e Shqipërisë.
2. Investitorët e përzgjedhur sipas këtij ligji, për zotërimin e aksioneve të INSIG, sha-së, duhet të bien dakord, paraprakisht, për të miratuar çdo ndryshim të nevojshëm në statusin e kësaj shoqërie, për nënshkrimin e aksioneve të shoqërisë nga aksionerët e rinj, siç parashikohet në këtë ligj dhe të mbrojnë të drejtat e aksionerëve në minorancë, të shoqërisë, sipas standardeve bashkëkohore të drejtimit të përbashkët.
Neni 9
Zbatimi i privatizimit
Ministria e Financave, në bashkëpunim me INSIG, sha-në, kryen procedurat e privatizimit të kësaj shoqërie, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Neni 10
Nxjerrja e akteve
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të këtij ligji.
Neni 11
Shfuqizime
Ligji nr.9649, datë 27.11.2006, “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG, sha-së”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 12
Hyrja në fuqi
Ky ligj në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
12/08/2009