Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së NATO-s
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e ndërrimit të komandës së NATO-s në Shqipëri. Pas 18 muajsh në krye të kësaj detyre, general brigade Vasili Kirilov Dimitrov, në prani të admiralit Fitzgeral, ministrit të mbrojtjes Oketa, shefit të Shtabit të Përgjithshëm Malaj dhe përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri, ia dorëzoi detyrën gjeneral brigade Dincho Ivanov Karamunchev.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar zoti ministër, i nderuar admiral Fitzgerald, i nderuar gjeneral brigade Dimitrov, i nderuar gjeneral brigade Karamunchev, shkëlqesi ambasadorë, të nderuar gjeneralë, atashehë ushtarakë dhe të pranishëm.
Jemi sot këtu, së pari për të shprehur mirënjohjen më të thellë, falenderimin më të përzemërt, gjeneralit Dimitrov, që përfundon misionin e tij në Shqipëri në drejtimin e Mail-T Tirana dhe që kthehet në vendin e tij me një shumë detyrë të rëndëishme të besuar nga qeveria dhe autoritet e vendit mik. Gjeneral Dimitrov është gjeneral I një karriere të shkëlyqer ushtarake, i cilësive të rralla, dhe jam I sigurtë që ka një të ardhme të madhe si ushtarak në vendin e tij dhe në strukturat e NATOS-s. Por gjithashtu, dua të theksoj se emërimi juaj në Shqipëri, detyra juaj në Shqipëri, do të shkëlqejë gjithmonë në karrierën tuaj. Ju erdhët këtu 18 muaj më parë, në krye të komandës së NATO-s në Shqipëri, erdhët në një periudhë kur anëtarësia e Shqipërisë në NATO ishte ende një aspiratë. Në këtë periudhë ju ishit jo vetëm dëshmitar, por një katalizë dhe një kontributor i madh dhe rëndësishëm në zhvillimet e mëvonshme në Shqipëri. Në jetën time këto kanë qenë dhe do të mbeten zhvillimet më të rëndësishme, sepse marrja e ftesës dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, është dhe do të mbetet për Shqipërinë dhe kombin shqiptar ngjarja më e rëndësishme pas pavarësisë së vendit. Për çdo komb të lirë, anëtarësia në Aleancën e Atlantiku të Veriut, aleancën më të fuqishme të lirisë të të gjitha kohrave, është një ngjarje shumë e madhe. Por për kombet e vogla që kanë pasur problemet më madhore të sigurisë në historinë e tyre, kjo është arritja më e jashtëzakonshme. Ndaj dhe unë, duke ju falenderuar edhe një herë ju me shumë përzemërsi dhe mirënjohje dhe të gjithë ekipin që ju keni drejtuar, dua t’ju garantoj se ju do të mbeteni në memorien e forcave tona të armatosura dhe të vendit tim në përpjekjet e tyre për anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Sot është një ditë lamtumire, por është edhe një ditë fillimi të ri, sepse gjeneral brigade Karamunchev merr detyrën, si drejtues i Mail-T Tirana dhe unë dua t’i uroj mirëseardhjen e qeverisë shqiptare. Dua ta siguroj se traditën e shkëlqyer të bashkëpunimit të parardhësit të tij gjeneral Dimitrov, do ta thellojmë më tej dhe do ta konsolidojmë më shumë. Ju do të drejtoni ekipin tuaj në një vend, që në prillin e kaluar, u bë anëtar i plotë i NATO-s. Dje në përmbushjen e detyrimeve tona dhe në mbështetjen e strategjisë të presidentit Obama për Afganistanin ne nisëm një kompani të re për Herat, duke dyfishuar praninë tonë në këtë vend. Ne do të çojmë sërish një ekip të ri me mjekë dhe infermierë në Kabul dhe do të marrim pjesë aktive në ndërtimin civil të këtij vendi brenda mundësive tona. Këto janë hapat e para që ne do të marrim si një vend anëtar, por ne jemi të vetëdijshëm se reformat duhet të jenë “perpetuum mobile” për forcat tona të armatosura dhe vendin në tërësi. Ne e llogarisim shumë ndihmën dhe kontributin tuaj në shtyrjen përpara të reformave në forcat tona të armatosura. Ne jemi të vendosur që brenda vitit 2010 të kalojmë tërësisht në ushtri profesionale. Ne ndjejmë nevojën dhe jemi të vendosur që ushtria jonë të aftësohet gjithnjë e më shumë për veprimet e saj në kushte paqeje, sikurse të aftësohet për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të aleancës, aty ku e lyp nevoja. Ndaj edhe unë e quaj tani një fillim të ri misionin tuaj. Dhe unë shpresoj, jam i sigurtë se ju do të keni sukses të plotë.
I nderuar admiral Fitzgerald! Keni ardhur disa herë në vendin tim dhe tani vini në një vend anëtar të NATO-s. Mirënjohjen më të thellë ndaj jush dhe Komandës së Napolit, e cila ka qenë një mbështetje shumë e fuqishme e aspiratave dhe përpjekjeve tona për anëtarsimin e plotë në NATO. Headquarteri i NATO-s ka qenë gjithnjë një headquarter frymëzues për Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugën e anëtarësimit. Krahu i saj jugor, Komanda e Napolit, ka qenë edhe krahu më i afërt dhe mbështetës më i fuqishëm i përpjekjeve tona. Unë kam sot shumë kënaqësi që ju jeni sot në këtë ceremoni dhe dua t’ju garantoj se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, ka kënaqësinë më të madhe të intensifikojë bashkëpunim e gjithëanshëm me Komandën e Napolit, me komandën tuaj, në interes së paqes, sigurisë në rajonin tonë. Edhe një herë një mirënjohje shumë të thellë ndaj gjeneralit Dimitrov, ndaj admiralit Fitzgerald dhe ndaj të gjithë atyre që kontribuan në shndërrimin në realitet të një ëndrre të madhe të kombit tim, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Dhe urimet më të mira për detyrën e re gjeneralit Karamunchev.
12/08/2009