E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një delegacion të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Sot, Kryeministri Berisha priti në një takim një delegacion të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të përfaqësuar nga zoti Eqerem Kryeziu, nënkryetar, zoti Lutfi Haziri, nënkryetar, dhe zoti Ramë Manaj, Sekretar I Përgjithshëm I LDK-së dhe njëkohësisht zevendës-kryeminsitër I Kosovës.

Zyrtarët e lartë të LDK-së i uruan kryeministrit Berisha fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe njëkohësisht e ngushëlluan atë për rënien e katër oficerëve të policisë së shtetit në përballje me krimin, duke e konsideruar këtë si një mesazh se lufta kundër krimit të organizuar dhe kriminalitetit në përgjithësi do të jetë e pa kompromis.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha vlerësoi se kjo ishte një vdekje heroike dhe se efektivat e policisë u vranë vetëm sepse ata zbatuan ligjin në mënyre të përpiktë.  Kryeministri shprehu rëndësinë që  dy qeveritë të zhdukin çdo lloj ndryshimi midis dy vendeve.  Ai shtoi se ne jemi një komb dhe se duhet të ndiehemi të tillë.  Dy qeveritë duhet të shërbejnë si dy mundësi dhe jo si pengesa për qytetarët vijoi Kryeminstri duke shtuar se duhet të merren veprime konkrete në njehësimin e sistemit të doganave, financave, arsimit, etj; në modelin e vendeve të Bashkimit Europian. Kryeministri konkludoi se kombi duhet të ndiehet një, duke respektuar pavarësinë e Kosovës.

Më tej biseda u përqëndrua në bashkëpunimin midis dy forcave politike, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.  Kryeministri shprehu gadishmërinë për të bashkëpunuar me LDK-në, në traditën e bashkëpunimit midis dy forcave politike, sikurse kërkoi mirëkuptim për vendosmërinë e tij për të mbetur i hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike të Kosovës, pasi ky është qëndrimi që përshtatet me interesin më të mirë të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe interesit kombëtar.


12/08/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›