E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Kryetarin e Komisionit për Punët e Brendëshme dhe Siguri të Parlamentit të Kosovës, z.Muharrem Mustafa,

Sot, Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha priti në një takim Kryetarin e Komisionit për Punët e Brendëshme dhe Siguri të Parlamentit të Kosovës, zotin Muharrem Mustafa, i cili shoqërohej nga ambasadori i Kosovës në Tiranë. 
 
Zoti Mustafa ngushëlloi Kryeministrin Berisha për rënien në krye të detyrës të katër oficerevë të Policisë së Shtetit në luftë me krimin.
 
Kryeministri Berisha nga ana e tij vlerësoi se kjo ishte një vdekje heroike dhe se efektivat e policisë u vranë vetëm sepse ata zbatuan ligjin në mënyre të përpiktë.  Kryeminsitri shtoi se ata ishin oficerë të shkelqyer dhe më një karrierë brilante në radhët e policisë, dhe se në sajë të aktit të tyre, ajo bandë kriminele nuk është më. 
Më tej zoti Berisha bëri një ekspoze të arritjes së Shqipërisë në fushën e rendit dhe sigurisë, por edhe në fusha të tjera dhe vuri theksin në nevojën e hapave konkretë në bashkëpunimin midis dy vendeve tona në të gjitha fushat. 
 
Kryeministri u shpreh se është jashtëzakonisht e rëndësishme që dy qeveritë të zhdukin çdo lloj ndryshimi midis dy vendeve.  Ai shtoi se ne jemi një komb dhe se duhet të shikojme njëri-tjetrin si një vend tjetër, por jo një si vend i huaj.  Dy qeveritë duhet të shërbejnë si dy mundësi dhe jo si pengesa për qytetarët vijoi kryeminstri duke shtuar se duhet të merren veprime konkrete ne njehsimin e sistemit te doganave, financave, arsimit, etj, në modelin e vendeve të Bashkimit Europian.  
 
Kryeministri konkludoi se kombi duhet të ndiehet një, duke respektuar pavarësinë e Kosovës.  Ai vërejti se progresi i Kosovës gjetë një vit e gjysëm qw nga pavarësia është i jashtëzakonshëm dhe se e sheh të ardhmen e saj me një optimizem të madh.  Kryeministri përfundoi se Kosova po faktohet si faktor stabiliteti. 
 
Kryeministri Berisha vlerësoi sukseset e qeverisë së Kosovës si brenda vendit ashtu dhe në arenën ndërkombëtare si dhe i kërkoi z. Mustafa t’i përcjellë Kryeministrit Thaçi përshëndetjet e tij më të përzemërta.
 
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendëshme dhe Siguri të Parlamentit të Kosovës, zoti Mustafa i kërkoi Kryemininistrit ndihmë me ekspertizë në reformën në fushën e rendit dhe sigurisë, kërkesë e cila u mirëprit  nga Kryeministri Berisha.  


12/08/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›