E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË SARANDË, TË PRONËS, E CILA ËSHTË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË SHËRBIMIT SOCIAL SHTETËROR, DHE DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.60, DATË 1.2.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,

V E N D I M

 

PËR

 

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË SARANDË, TË PRONËS, E CILA ËSHTË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË SHËRBIMIT SOCIAL SHTETËROR, DHE DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.60, DATË 1.2.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI SHËRBIMIT SOCIAL SHTETËROR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 2 e 3, të nenit 42, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, të neneve 4, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar,  me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1.     Transferimin në pronësi të bashkisë Sarandë të objektit me numër rendor 27, në formularin e inventarizimit të pronave të paluajtshme shtetërore, “Qendra e shërbimeve për fëmijët 6-14 vjeç”, Sarandë, e cila është në përgjegjësi administrimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror.

2.     Prona e përcaktuar në pikën 1, të hiqet nga lista e inventarit të pronave shtetërore, miratuar me vendimin nr.60, datë 1.2.2006, të Këshillit të Ministrave për miratimin e listës së inventarit të pronave shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Shërbimit Social Shtetëror”.

3.     Institucioni i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, dhe shërbimi shoqëror, që ofrohet në të, të transferohen së bashku me ndërtesën, fondet, pajisjet, inventarin, personelin dhe dokumentacionin përkatës.

4.       Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2008, fondet e grupit 25, titulli 10430, kap.1, artikujt 600, 601 e 602, miratuar për Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe, në vijim, sipas vitit buxhetor përkatës.

5.      Bashkisë së Sarandës i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës, tjetërsimin apo dhënien në përdorim të të tretëve.

6.     Ngarkohen Mministria e Brendshme, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, kryetari i bashkisë Sarandë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›