E Shtunë, 31 Tetor 2026

VIP Albania

Calvin Klein zgjedh shqiptaren Rita Ora

Këngëtarja shqiptare që po njeh famë në SHBA, pasi gëzon edhe përkrahjen e reperit të famshëm Jay-Z, Rita Ora, së fundmi është bërë imazh i fushatës publicitare të Calvin Klein. Në reklamën e lançuar në Britaninë e Madhe, këngëtarja e R’N’B, duket shumë spontane, femërore dhe sensuale, ndërsa shfaqet edhe me të brendshme të zeza. Në faqe të ndryshme në internet ajo ka marrë konsiderata pozitive, ndërsa nuk kanë munguar krahasimet mes saj dhe këngëtares Cassie, e cila ka realizuar të njëjtën reklamë në Nju Jork. Zonjushat paraqiten me të brendshme, bashkë me miq të tjerë, duke treguar anekdota rreth vetes. Ne jemi të mendimit se Rita duket më bukur, edhe pse mjafton ta klikoni në internet, për ta parë edhe vetë. 20-vjeçarja Rita Ora, emri i vërtetë i së cilës është Rita Sahatçiu Ora, është bërë e njohur për publikun shqiptar dhe të huaj, falë bashkëpunimit me Craig David me këngën “Where’s your love”, si dhe pjesëmarrjes në video e Jay-Z, “Forever Young”, apo te reperi Drake, “Over”.

Aurela Gaçe, një ndër 10 më të preferuarat e Eurosong

Këngëtarja labe, e cila këto ditë lançon klipin e këngës “Feel the passion”, me të cilin do të përfaqësojë Shqipërinë në skenën e Eurosong, është renditur ndër 10 më të preferuarat e këtij kompeticioni. Sipas sitit esctoday, ajo bën pjesë në grupin e këngëtarëve më të pëlqyer, duke qenë se këngë e saj është lançuar, natyrisht pa video. Aurela ka punuar për realizimin e këngës në një nga studiot më prestigjioze në Los Angeles, USA, ku kanë punuar këngëtarë të njohur si Ray Charles, Lady Gaga etj. “Unë këndoj me zemër dhe lidhem me audiencën. Unë kam shumë dashuri dhe ata e ndiejnë këtë. Askush s’mund të mashtrojë audiencën”, ka thënë Aurela Gaçe. E pyetur në lidhje me pritshmëritë që ka për renditjen e saj në Eurosong, nëse do të arrijë më shumë se këngëtarët e tjerë që kanë përfaqësuar vendin tonë, Aurela është shprehur: “Artistët janë shpesh nën presion, por sigurisht unë shpresoj për të dalë sa më mirë, por kurrë nuk i dihet. Unë ndihem e bekuar dhe e nderuar që do të përfaqësoj vendin tim”. Pas të madhes Vaçe Zela, ajo shënon këngëtaren e dytë me më shumë trofe nga Festivali i Këngës në RTSH.

Anjeza Shahini, në “Top Fest” me “Zig Zag Orchestra”

Këngëtarja e Eurovizion, Anjeza Shahini, është një ndër emrat që do të marrë pjesë në Top Festin e sivjetëm. Sipas saj, alternativat për dalje publike në Shqipëri janë të rralla, pasi skenat nuk vihen shumë shpesh në dispozicion të artistëve, përveç rasteve të konkurrimeve apo festivaleve. “Gjithsesi për të qenë sërish në vëmendjen e medias dhe për t’i sjellë diçka të re publikut këtë herë kam zgjedhur skenën e “Top Fest”, të cilin më shumë se një festival do ta quaja manifestim të muzikës moderne. Ajo që mund të them për momentin, është se kënga është gati dhe që shumë shpejt do të bëjmë dhe prezantimin e parë. Këtë herë nuk do të jem vetëm, por me një grup tepër të mirë nga Kosova “Zig Zag Orchestra”, ka thënë Anjeza, duke shtuar se është humë e lumtur për këtë bashkëpunim, ndërkohë që pret dhe uron që po kaq mirë të mirëpritet edhe nga publiku shqiptar. Neve na mbetet veç të presim performancën e tyre...

Melinda Ademi në “American Idol”, eliminimi i dyshimtë

Konkurrentja shqiptare në “American Idol” Melinda Ademi, nuk ka arritur që të bindë jurinë që të vazhdojë më tutje në edicionin e ri të “American Idol”, SHBA. Mënyra e veçantë e përzgjedhjes së konkurrentëve me anë të numrave, që do të thotë se nuk lejojnë në finale më shumë se një apo dy këngëtarë të një gjinie të caktuar muzikore, ka bërë që Melinda të jetë e pafat -dhe në zhanrin e saj të kalojë një këngëtare tjetër. Ndërkaq, kritikët amerikanë të muzikës kanë qenë shumë kritikë ndaj jurisë për këtë përzgjedhje. Sipas tyre, Melinda ka qenë shumë më e mirë gjatë provave dhe ende nuk dihet se pse këngëtarja nuk e kaloi këtë sprovë. Për Melindën është shkruar se ajo tashmë e ka derën e hapur, por ajo çfarë duhet të bëjë është që të bëjë lëvizje të duhura dhe të lidhet me kompani serioze dhe kompozitorë seriozë të muzikës, pasi që vetëm kështu ajo mund të ketë sukses. Nga ana tjetër, gazeta prestigjioze amerikane “USA Today” shkroi se publiku i tha “po” Melindës, por juria i tha jo”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›