E Shtunë, 31 Tetor 2026

VISENTE DEL BOSKE Trajneri me më shumë trofe në botë!

Përgatiti: Arjan Koçi

Ish-tekniku i Realit të Madridit mposht edhe njëherë kritikët e tij. Asgjë nuk ishte e lehtë, por u bë e tillë prej aftësive të tij.

Normaliteti i tij është thuajse i bezdisshëm, monoton, për shkak të qëndrimit të tij në pankinë, i qetë dhe i ngathët. Gjatë finales së të dielës në Euro 2012 ai qëndronte në pankinë a thua se ishte duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tij, në Salamanka.

Visente Del Boske është njëri prej atyre që e ke të vështirë ta dallosh sepse nuk është shumë i kujdesshëm për pamjen e tij të jashtme, nuk është prej atyre që ulërijnë, nuk bën gjeste me duar e këmbë, nuk e heq veten për revolucionar, nuk bën provokime në konferencën për shtyp.

Maksimumi që mund të bëjë është të të kujtojë në vigjilje të një finaleje se humbja është një hipotezë që duhet marrë parasysh. Por ai nuk është një motivues i madh me fjalë. Përkundrazi, është si ai xhaxhai i qetë dhe i heshtur që ka çdo fis. Por me atë qetësinë e tij ai ka fituar zemrat e të gjithëve dhe pastaj edhe titujt.

Ka fituar Europianin, Botërorin, Ligën e Kampionëve dhe Kupën Interkontinentale. Ka fituar maksimumin. Dhe e ka bërë pa pasur nevojë të ketë atë karizmë magnetike të një njeriu të jashtëzakonshëm, por duke frymëzuar te të tjerët butësi për atë pamje prej babaxhani që ka në pankinë.

Mund të thotë dikush se ai nuk është nga ata tipa që zihen, se maksimumi do të qeshë nën mustaqe, pa u menduar fare për faktin se është bërë trajneri i parë në historinë e futbollit që ka fituar të gjithë trofetë më të rëndësishëm. Mund të thuhet, siç po bën tashmë dikush, që ai nuk ka bërë ndonjë gjë kushedi se çfarë sepse ka pasur shumë lojtarë të mirë në formacion.

A thua se edhe Brazili i Zikos, Falkaos, Zhunior, Serezos dhe Sokratesit kishte fituar pa u lodhur fare! Është si të thuash që kjo ishte një fitore banale, edhe pse ishte një nivel shumë i lartë futbolli. Dikush mund ta thotë me zë të lartë, por pa sukses, sepse gjërat janë ndryshe. Këto fjalë as nuk e mërzisin Del Bosken e as nuk ia prishin ditën.

Ai është pritur dje nga Mbreti i Spanjës dhe nga Kryeministri i Spanjës, por do ta festojë triumfin me familjen e tij shumë thjesht. Në shtëpinë e tij, në apartamentin e tij të përhershëm mes Santiago Bernabeut dhe Ciudad Deportiva të Realit të Madridit, ku ka jetuar një jetë të tërë me futbollin.

Por mbi të gjitha me tre djemtë e tij, duke arritur të bëjë gjithçka me plan falë tyre, pasi i biri Alvaro ka lindur me Sindromën e Down dhe e ka rritur me dashurinë e një babai të mirë, që e ka mbrojtur përherë me vullnet të madh. Kështu ka bërë ai edhe me lojtarët e tij. Si njeri i shtëpisë, pranoi sfidën që të drejtojë Realin e Madridit plot galaktikë dhe ia doli mbanë.

Florentino Perez e largoi sapo iu dha rasti, por kjo nuk ishte një gjë e zgjuar nga ana e tij, Atëherë thoshin se nuk ishte ndonjë arritje e madhe të fitoje tituj me lojtarë si Figo, Zidan dhe Raul, por në fakt pas largimit të tij, skuadra e Realit nuk e pa më Ligën e Kampionëve.

Tani që ka fituar Europianin dhe Botërorin, ka njerëz që thonë se është një menaxhues i zoti i punës së Luis Aragones. A thua se në Kupën e Botës 2010 në Afrikë të Jugut ai kishte Torresin e Europianit 2008. Sikur nuk kishte luajtur me një skemë që i dha ekuilibrin vendimtar skuadrës për të marrë titullin.

Me Buskets, Ksabi Alonso dhe Ksavin në mes të fushës, ai qeshtë nën mustaqe pas humbjes së papritur kundër Zvicrës, kur të gjithë e kritikuan ashpër. A thua se ai në këtë Europian kishte golashënuesin e tmerrshëm Vila dhe nuk luajti me nëntën false për të pasur superioritet numerik në mes të fushës, ku lojtarët e tij janë të një kategorie tjetër.

Në sulm pa një sulmues, duke qeshur nën mustaqe kur i thanë se nuk mund të luhej kështu. Dhe ai prapë fitoi. Europian, Botëror, Ligë Kampionësh dhe Kupë Interkontinentale, duke qëndruar aty i qetë e në paqe, a thua se është një njeri normal.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›