E Diel, 1 Nëntor 2026

DY EURO, NJË BOTËROR Kasiljas ngre sërish lart trofeun: E rraskapitëm Italinë!

Përgatiti: Arjan Koçi

Kapiteni i Spanjës: Besoj se spanjollët janë të lumtur. Nuk ishte e lehtë të fitoje 4-0, do të doja të vazhdonte ky moment, por… po plakemi.

Iker Kasiljas, kapiteni i Spanjës, është ai që ka ngritur edhe Kupën e Botës edhe Europianin. Në fakt, ai ka ngritur lart dy trofe të Kupës së Europës. Ai është lojtari i parë që ka fituar 100 ndeshje me fanellën e përfaqësueses së Spanjës.

Pas një turneu mjaft të fortë, portieri i Spanjës ka dalë sërish triumfues. “Nuk e di se çfarë kemi bërë, por di që është një punë e cila ka buruar nga brenda. Të gjithë kanë punuar që me sektorët e të rinjve të përfaqësueses”, kanë qenë fjalët e portierit të Realit të Madridit pas fitores së madhe 4-0 kundër Italisë.

“Nuk mund të lë pa përmendur punën e madhe të trajnerit Del Boske, i cili ka ditur të bëjë me zgjuarsi një ndërrim stafete mes brezave. Ky është momenti më i bukur në futbollin spanjoll dhe të them të drejtën do të doja shumë që të vazhdonte edhe më tej, që të mos ndalej me kaq.

Por një zë më thotë se do të jetë e vështirë, pasi jemi duke u plakur…” Duke folur për fitoren e përfaqësueses së vet, Kasiljas e ka shpjeguar atë shumë thjeshtë: “Loja jonë bëri që tu priteshin krahët italianëve. Goli i dytë ishte ai që e dënoi Italinë, kurse goli i tretë e mbylli ndeshjen.

Mendoj se tifozët tanë dhe të gjithë spanjollët do të jenë shumë të lumtur. Ne kemi festuar gjatë pas ndeshjes dhe e bëmë të lehtë një gjë shumë të vështirë. Të fitosh me një rezultat të tillë të thellë, 4-0, në një finale të tillë nuk është e thjeshtë.

Tani mund të kujtoj me qetësi momentet e vështira që kemi kaluar, por tani është koha për festë. Le të festojmë të gjithë së bashku këtë titull. “.

Kasiljas thyen edhe rekordin e Dino Zof

Spanja ka mësuar si të mbrohet shumë mirë. Kasiljas jo më kot është në kuotën e 10 ndeshjeve pa pësuar gol në ndeshje me eliminim të drejtpërdrejtë në finalet e Kupës së Botës dhe Europianit, plot 990 minuta.

Në Europian nuk pësojnë humbje që prej vitit 2004, 12 ndeshje, dhe me ndeshjen kundër Italisë ka shkuar në 100 fitore në 137 ndeshje, nga të cilat 80 herë nuk ka pësuar gol. Në këtë kompeticion e ka mposhtur vetëm Di Natale, në ndeshjen e parë.

Më pas kaluan pesë ndeshje pa gol, 509 minuta. Dhe kështu Iker ka thyer edhe rekordin e Zof për sa i përket pathyeshmërisë në Europian, duke i shkaktuar një dëm edhe më të madh Italisë, pasi i mori trofeun.

Ai u bë kështu i pari që triumfon në tre kompeticione, në tri finale të mëdha. Gjermanët Maier dhe Shumaher si dhe francezi Bartez u ndalën në dy trofe, duke humbur në të tretin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›