E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Bllokim kufijsh më 14 janar, Serbia nuk kalon në Kosovë

PRISHTINË- Lëvizja Vetëvendosje ka ripërsëritur thirrjen e saj për ë bllokuar pikat kufitare më 14 janar.

"Ky bllokim është në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra është në mbrojtje të Kuvendit. Moszbatimi i vendimit të Kuvendit nga Qeveria e shkatërron Republikën, për shkak se e sipërvendos Qeverinë mbi Kuvendin, ekzekutivin mbi legjislativin. E sipërvendos përfaqësimin partiak e interesin partikular të reflektuar në këtë Qeveri mbi vullnetin popullor. E në Republikë, pushteti nuk sundon mbi popullin, por populli sundon e qeveria qeveris dhe ekzekuton. Republika është interesi i përgjithshëm"- deklaruan përfaqësuesit e Vetëvendosjes në një konferencë për media.

Vetëvendosje thekson se bllokimi bëhet për të mbrojtur vendimin e Kuvendit të Kosovës, i cili e përcakton kufirin me Serbinë, jo pikë kalimi, por si vijë shtetërore.

"Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje të gjithë qytetarëve që më datën 14 janar, në ora 13:00 të dalin në mbrojtje të Republikës dhe për mbrojtje të prodhimeve të vendit, duke bllokuar Serbinë në pikat kufitare te Dheu i Bardh dhe Merdare. Në datën 14, SERBIA NUK KALON!”,- përfundon deklarata për media e përfaqësuesve të Vetëvendosjes.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›