Bashkëpunimi Shqipëri - Kosovë, si model

Kështu thanë dy ministrat e Punëve të Jashtme, ai i Shqipërisë, Edmond Panariti, dhe i Kosovës, Enver Hoxhaj, pas një takimi të përbashkët.
Kryediplomati shqiptar Panariti i bëri një vizitë institucioneve të Kosovës, e që është vizita e tij e parë në rajon, pas marrjes së postit si ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, uroi ministrin Panariti për postin e ri si ministër i punëve të jashtme i Republikës së Shqipërisë.
Ai tha se profili i tij intelektual dhe diplomatik do të jetë një mbështetje e fuqishme për Shqipërinë dhe Kosovën.
Hoxhaj shprehu mirënjohje për mbështetjen e madhe diplomatike, që Kosova ka marrë në vazhdimësi nga Republika e Shqipërisë. Shqipëria, siç tha Hoxhaj, vazhdon të mbetet partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik për Kosovën.
“Shqipëria është një partner i fuqishëm dhe i rëndësishëm politik, ekonomik, tregtar, arsimor dhe kulturor për Republikën e Kosovës. Që të dy vendet tona kanë një histori evropiane që gjeografia na bënë evropianë, që kultura na bënë evropianë dhe që vizioni jonë është që të dy vendet tona të integrohen në BE”, pohoi Hoxhaj.
Hoxhaj po ashtu tha se nga ministrit Panariti i ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë sa i takon integrimeve evropiane, sidomos në fushën e liberalizimit të vizave dhe studimit të fizibilitetit, meqë Kosova synon që sa më shpejt ta nënshkruajë një marrëveshje të stabilizim asociimit me institucionet në Bruksel.
Ndërsa ministri Edmond Panariti tha se ndihet i privilegjuar dhe emocionuar që vizitën e tij të parë në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e bën në Kosovë. Ai tha se Kosova ka bërë progres dhe këtë e ka dëshmuar me përmbylljen e suksesshme të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
“Pata rastin ta garantoj mikun tim Enver, që Shqipëria do të vazhdojë ta bashkëpunoj edhe me intensivisht me institucionet e Kosovës, tashmë plotësisht sovrane, në proceset integruese evropiane euroatlantike që ajo ka nisur. Ju tashmë e dini se për shtetin shqiptar pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Kosova po ecën në rrugën e konsolidimit të institucioneve demokratike. Heqja e pavarësisë së mbikëqyrur është dëshmia më e mirë e konsolidimit dhe fuqizimit të këtyre institucioneve, të cilët tashmë janë të gatshëm të ushtrojnë sovranitet të plotë dhe administrim të plotë në tërë territorin e Kosovës”, pohoi Panariti
Ai foli edhe për domosdoshmërinë e intensifikimit të procesit të njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, duke thënë se Shqipëria në koordinim me autoritetet e Kosovës, do të intensifikojë proceset diplomatike, për të bërë të mundur avansimin e procesit të njohjeve të reja për Kosovën. Ai po ashtu tha se bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë model për vendet e tjera.
“As patatja as çimentoja nuk mund të pengojë këtë lëvizje, këtë intensitet të madh të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Jam i sigurt që ndonjë problem i vogël që do të mund të jetë krijuar gjatë kësaj kohe është zgjidhur me vullnet të mirë dhe të përbashkët. Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jetë një model për t’u ndjekur nga gjithë vendet e rajonit, si një partneritet solid dhe i qëndrueshëm për zhvillimin e dy vendeve për integrim në rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit në BE si dy vende dinjitoze evropiane”, tha Panariti.