Jo bisedimeve pa zbatimin e marrëveshjeve

Pas këtij takimi, kryeministri Thaçi ka thënë se pa zbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tash nuk do të ketë vazhdim të dialogut me Serbinë.
Takimi mes kryeministrit, Hashim Thaçi dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe Siguri, Ashton ka zgjatur më shumë se një orë, ndërsa pas këtij takimi, baronesha Ashton, ka refuzuar të deklarohet para mediave.
Në anën tjetër, kryeministri Thaçi ka theksuar se ia ka bërë të qartë edhe përfaqësueses së lartë Ashton se Kosova po punon për fqinjësi të mirë me Serbinë.
Por, sipas tij, pa zbatim të marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut mes të dyja vendeve, ky dialog nuk mund të vazhdojë.
Kryeministri Hashim Thaçi thënë se me baroneshën Ashton ka biseduar edhe për proceset e tjera me rëndësi për Kosovën.
Shefi i ekzekutivit, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova po i përmbushë të gjitha reformat e kërkuara nga BE-ja për një shtet ku sundon rendi e ligji.