E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqiptarët e mirë” në 3Sat

Në kanalin televiziv gjerman 3Sat është emetuar mbrëmë filmi dokumentar zviceran ,“Shqiptarët e mirë”. Ky film pati bërë bujë në vitin 2011, kur qe shfaqur për herë të parë në televizionin zviceran dhe qe cilësuar si një përpjekje për të ikur nga stereotipat për “shqiptarët e dhunshëm e kriminelë, shitës droge, islamikë, abuzues ndihmash sociale” etj.
“Duke i cilësuar ashtu në mënyrë paushalle, shqiptarëve u bëhet e padrejtë”, vlerëson dokumentari. “Jashtë kryetitujve negativë, ekzistojnë shumë rrëfime suksesi të shqiptarëve të cilët jetojnë e punojnë në paqe dhe të integruar mirë në Zvicër”.

Kur flitet për shqiptarët, të shumtën e rasteve mendohet për shqiptarët e Kosovës. Të parët nga ta kanë ardhur në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar si gastarbajterë të kërkuar. Por, shumica kanë ardhur më vonë si refugjatë gjatë kohës së konflikteve ballkanike në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, transmeton albinfo.ch.

Sot në Zvicër jetojnë mbi 200 mijë kosovarë, pa e llogaritur këtu numrin e madh të atyre që tashmë kanë marrë shtetësinë zvicerane.

Dokumentari “Die guten Albaner” (Shqiptarët e mirë) portretizon katër shqiptarë të suksesshëm të Kosovës, të cilët kanë arritur shumë në Zvicër dhe të cilët nuk duan të merren si përjashtime e as si shembuj.

Fjala është për një sportist, një bankier, një politikane dhe një mjek, thuhet në prezantimin që portali ARD i bën dokumentarit “Die guten Albaner”, me regjisor Bela Batthyany./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›