E Diel, 1 Nëntor 2026

VV dënon sulmin fizik ndaj zyrtares Ibadete Hyseni

Sekretariati i Gruas Aktiviste i Lëvizjes Vetëvendosje ka shprehur shqetësimin dhe e ka dënuar ashpër sulmin fizik që i është bërë zyrtares për barazi gjinore në Komunën e Vitisë Ibadete Hyseni.

“Ky sulm fizik nga ana e zyrtarit komunal në Viti ka fyer rëndë dinjitetin njerëzor të të gjitha grave dhe vajzave në Viti dhe më gjerë.Ftojmë Kryetarin e Kuvendit Komunal të Vitisë që të dënojë ashpër sulmin fizik ndaj zyrtares për barazi gjinore dhe në të njëjtën kohë të ndërmerr masat e duhura në ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë, konform rregullave dhe procedurave te mirësjelljes dhe etikës në vendin e punës, duke eliminuar sjelljet gangstere që kanë ngulfatur komunën, me ç’rast sulmuesi jo vetëm që ka penguar dhe sulmuar fizikisht Ibadete Hysenin, por i njëjti ka vazhduar të pengojë dëshmitarët në dëshmitë e tyre rreth ngjarjes, duke i shantazhuar, frikësuar dhe kushtëzuar me vendin e punës”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ata kanë ftuar organet kompetente që të merren me këtë punë.

“Ftojmë organet e rendit dhe drejtësisë që të zbatojnë detyrat dhe përgjegjësitë konform Ligjit për Barazi Gjinore, Ligjit Kundër Diskriminimit, Ligjit për Shërbyes Civil, Ligjit të Punës, Ligjit Kundër Dhunës, dhe shume mekanizmave tjerë ligjorë, të cilët në mënyrë të prerë sanksionojnë dhe dënojnë aktet e tilla diskriminuese dhe shtypëse”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

Ibadete Hyseni pas sulmit u kishte shkruar Grupit të Grave Deputete. Deri tash, nuk ka ndonjë reagim tjetër./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›