E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, kaptina e 35-të për negociatat e Beogradit me BE-në

Komisionari evropian për zgjerim, Stefan Füle i rekomandoi sot Serbisë që ta emëroj kryenegociatorin dhe çështjen evropiane ta vë “në krye të rendit të ditës”. Ai zhvilloi sot një bisedë me kryeministrin serb Ivica Daçiq në Beograd, me ç’rast theksoi se është e domosdoshme të zbatohet marrëveshja dhe krejt që është dakorduar në dialogun me Prishtinën. Füle shtoi se është propozim që çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës të trajtohet në kaptinën 35, e cila do të ishte hapur nga fillimi deri në mbarim të negociatave me Serbinë, njofton RTK.

Füle për këtë propozim do të flasë nesër edhe me presidentin Nikoliq, si dhe do t’iu prezantojë ligjvënësve, para të cilëve do të mbajë një fjalim.

Duke u ndërlidhur edhe në çështjen e Kosovës, që përfshihet në kaptinën 35, Daçiq theksoi se BE-ja e di që Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Ne presim që në kornizën negociatore të mos ketë formulime që do të vënë në dukje se Serbia duhet patjetër ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Kjo për ne do të ishte absolutisht e papranueshme”, theksoi ai para gazetarëve në Beograd./Indeksonline/  
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›