VV do ta fitojë Ferizajn, pastaj edhe Kosovën

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke folur para elektoratit ai e ka mbështetur kandidatin e kësaj lëvizjeje, me të cilin ai ka thënë se nuk do të fitojë vetëm Ferizaj, por do të fitojë edhe Kosova. Ai ka kërkuar nga elektorati që të tregohet kësaj radhe dhe votën ta vendosin tek numri 23, për kandidatin Faton Topalli.
“Gjatë kësaj fushate, Faton Topalli është treguar për Ferizajn, ditën e zgjedhjeve Ferizaj duhet të tregohet te Faton Topalli. Fatoni është politikani më aktiv, më i mençur dhe më i hapur në komunën e Ferizajt. Kur fiton Fatoni, fiton Ferizaj... kur fiton Ferizaj, fiton Kosova... kur fiton Kosova fiton Shqiptaria, e kur fiton shqiptaria nuk përfiton asnjë matrapaz që ka hyrë në politikë dhe asnjë politikan që është bërë matrapaz”, tha Kurti.
Ai shtoi se me Vetëvendosjen dhe Faton Topallin do ta ndalin korrupsionin, dhe kurrë më nuk do të ketë politikanë që do të jenë njerëzit më të pasur në vendin tonë. Ai ka thënë se Vetëvendosje ka qenë opozita më e mirë dhe më aktive, e cila vazhdimisht ka kërkuar ndryshime.
Ndërsa, kandidati i Vetëvendosjes, Faton Topalli, i ka premtuar elektoratit se nëse ai vjen në pushtet, do ta ndalë korrupsioni, hajninë, prostitucionin dhe do t’ia kthejë qytetit dhe qytetarëve nderin dhe krenarinë që ata e meritojnë.
“Mjaft më me këtë politikë të turpit përballë pushtetit serb, mjaft më me këtë politikë të përkuljes, mjaft më me këtë politikë të korrupsionit, mjaft më me këtë politikë që krijon mirëqenie për pushtetarë dhe varfëri për qytetarë. Ne do t’ia kthejmë Ferizajt emrin, peshën dhe nderin që i takon. Do t’i shesim xhipat, do ta heqim luksin për pushtetarë, do ta shtrojmë mirëqenien për qytetarë. Ferizaj nuk do të jetë qytet i haraçit dhe mbytjes së biznesit, Ferizaj nuk do të jetë qytet i asfaltit dhe betonit, Ferizaj nuk do të jetë qytet i drogës dhe prostitucionit, do të punojmë që Ferizaj të ketë punë, së pari për ato familje që nuk kanë asnjë të punësuar”, ka thënë ndër të tjera Topalli.
Ai ka thënë se me 29 prill po fiton shpresa për Ferizajn dhe shpresa për Kosovën. Ai ka shtuar se drita në të gjithë këtë errësirë që është krijuar në Ferizaj, vjen bashkë me lëvizjen Vetëvendosje.
Faton Topalli është kandidat për kryetar të Komunës së Ferizajt, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe mban numrin 23.
Ndryshe, komuna e Ferizajt pritet t’i mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës, pasi që, tashmë ish-kryetari i saj, Bajrush Xhemajli kishte dhënë dorëheqje pasi ishte dënuar me dy vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Supreme me arsyetimin se ai ishte fajtor për shkaktim të rrezikut në komunikacion, i cili pas një ndeshje me automjet në hyrje të Prishtinës, kishte lënë të vdekur një të ri./kosovapress/